Kumtesa e përbashkët e partnerëve qeveritar, Gruevski dhe Ahmeti është tragji-komike. Kështu vlerëson analisti politik, Naser Ziberi duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Maqedoni që lëkundën marrëdhëniet ndëretnike. Në linjë të njëjtë është edhe analisti politik Petar Arsovski sipas të cilit kumtesa e përbashkët e Gruevskit dhe Ahmetit nuk korrespondon me gjendjen faktike në Maqedoni.
"Mos të ishte situata kaq e ndjerë do të kisha thënë se është komike, por fatkeqësisht ajo është tragji-komike pasi situata është me të vërtet delikate pas gjithë asaj që po ndodh në hapësirat e Maqedonisë, sidomos në sferën e marrëdhënieve ndëretnike. Komunikata më ngjanë me proverbin e plakës me 'fshatin që digjet... ' sepse aktorët kryesor të politikës dhe pushtetit në Maqedoni adresojnë apele deri tek qytetarët dhe subjektet, që të mos bien pre e situatave sensitive, në anën tjetër të gjithë janë të bindur se krijues ose shkaktar të të gjithë këtyre situatave janë pikërisht këta aktorë", u shpreh Naser Ziberi, analistë.
"Unë kam pritur më tepër nga kumtesa, përkatësisht takimi mes Gruevskit dhe Ahmetit. Ata de fakto dolën me një citat nga Marrëveshja e Ohrit, se të gjithë duhet të respektohen mes njëri tjetrit, duhet të respektohen të gjitha bashkësitë, ky është një citat deklarativ që nuk ka të bëjë me situatën në terren. Situata aktuale është tejet më dramatike, kemi më tepër probleme që po dalin, dhe unë prisja nga liderët që të dilnin me ndonjë zgjidhje konkrete për ato probleme, me një plan se si ato tensione në terren të menaxhohen dhe si Maqedonia të lundrojë në ujëra më të qeta", deklaroi Petar Arsovski, analistë.
Analistët Ziberi dhe Arsovski gjithashtu thonë se takimi i djeshëm mes Gruevskit dhe Ahmetit është realizuar vetëm sa për sy e faqe.
"Nëse aktorët politik, kam parasysh Qeverinë, subjektet në koalicioni qeveritar, nëse nuk ulen seriozisht të bisedojnë dhe të ndërtojnë qëndrime që çdokush në pjesën e vet të kontribuojë në ndërprerjen e të gjithë shkaktarëve, të gjitha instrumenteve që sjellin deri tek incidentet, deri tek problemet, tek ftohja e marrëdhënieve ndëretnike, ne vetëm do të kemi përsëritje të situatave të këtilla", tha Naser Ziberi, analistë.
"Është fakt se ne kemi dy mesazhe të ndryshme, njëra është ajo që Gruevski dhe Ahmeti thonë se gjithçka është në rregull, dhe tjetër është ajo që e shohim në terren, Eh, kjo e dyta është se po na shtohet problemet, si rasti i Sllupçanit, ligji për 'branitellat', emrat e shkollave në Çair, shkrirja e paraleleve shqipe në Aerodrom të cilat realisht sugjerojnë se nuk është gjithçka në rregull siç thonë ata, dhe mbi të gjitha në porosinë e tyre nuk ka përgjigje konkrete se si ato probleme të tejkalohen", theksoi Petar Arsovski, analistë.
Opinioni publik u habit nga qëndrimi i një dite më parë, të partnerëve të koalicionit, të cilët si çdo herë mjaftohen me qëndrime deklarative dhe të kontrolluara ashpër nga zyrat e tyre të marrëdhënieve me publikun. Valmir Kuçi