PDSH ka vazhduar me akuzat ndaj ministrit të drejtësisë Blerim Bexheti, kësaj radhe duke pyetur për drejtësinë që ushtrohet në rastin e ekstradimit të djeshëm të Shukri Alisë, për të cilin fillimisht u tha se ka lidhje me rastin 'Monstra'. Ata kërkuan përgjegjësi edhe ndaj personave që kanë maltretuar të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje në gjykatë dhe paraburgim në këtë rast. PDSH konsideron se Ministri Bexheti duhej të jepte dorëheqje nga dita kur ndërroi jetë Ibrahim Sulejmani.
"Ç'bën drejtësia jote kur çdo person që ekstradohet siç ishte rasti i djeshëm nuk hezitojnë Koteskat dhe Jankullovskat ta bëjnë pjesë të montazhit politik për rastin 'Monstra', natyrisht që ti hesht. Ç'bën drejtësia jote kur gjithë provat e sigurta të Gordana Jankullovskës për terrorizëm islamik qenkan një dëshmitar I mbrojtur, I shpifur do thoja unë. E din cila është përgjigja më e mirë për ty Blerim Bexhet Bexheti dhe për BDI-në, janë gurët e popullit nëpër selit e BDI dhe nëpër oborret tuaja", tha Zijadin Sela, PDSH.
Ka reaguar ministria e drejtësisë duke përsërisim qëndrimin se për rastin "Monstra" do të sigurohet objektivitet dhe paanshmëri. "Nuk jemi si bashkëpartaikët e z. Sela që aksionet ndaj shqiptarëve ti shpallin të suksesshëm dhe më pas duke vazhduar ti rrahin dhe malretojnë nëpër burgjet e vendit. Që ky proces të jetë objektiv dhe në shprehje t'i vëmë faktet dhe dëshmitë, ne kemi kërkuar edhe nga komuniteti ndërkombëtarë që për së afërmi të ndjek këtë proces, siç është edhe OSBE-ja.E përkujtojmë deputetin Sela dhe partinë e tij, se kur BDI-ja është pjesë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë sundon ligji dhe jo anarkia, siç praktikojnë ata kur janë në pushtet", thuhet në reagimin me shkrim të Ministrisë së Drejtësisë. Bedri Rexhallari