Zgjidhet problemi i ngrohjes, nis mësimi në 'Ismail Qemali'

2015-08-21 4

Pas dy ditësh pushim, të paparashikuar për shkak të mungesës së ngrohjes, nxënësit e shkollës fillore "Ismail Qemali" të komunës së Çairit sot iu rikthyen procesit mësimor. Sot ngrohja në shkollë ishte lëshuar që në orët e mëngjesit dhe procesi arsimor u zhvillua normalisht. Drejtori i shkollës Kadri Agushi përmes linjës telefonike tha për Alsat se nuk ka vend për shqetësim. Sipas tij, mungesa e ngrohjes në shkollë ishte thjesht, rezultat i papërgjegjësisë së shpërndarësit të naftës, që nuk e kishte sjellë në kohë lëndën djegëse për ngrohje. Ai madje tha se orët e humbura të mësimit do të plotësohen gjatë javëve në vijim. Ndërkohë, për shkak të faturës së lartë, deri në 20 mijë euro që vinin nga ngrohtorja Shkupi-Veri, drejtoria e shkollës "Ismail Qemali" u detyrua të sigurojë ngrohje të pavarur vetjake, falë sistemit që posedon shkolla, si dhe, si lëndë djegëse të përdorë naftën që siguron Komuna e Çairit.
Siç njoftojnë nga Komuna e Çairit, sasia e duhur e naftës është shpërndarë në të gjitha shkollat fillore të komunës, dhe sezoni dimëror pritet të kalojë pa probleme. Për momentin, me naftë ngrohen shkollat fillore "Ismail Qemali", "Imri Elezi" dhe "Hasan Prishtina" ndërkohë që përmes ngrohtores Shkup-Veri ngrohen ende shkollat "Jashar Bej Shkupi" dhe "Adem Jashari". Sipas përgjegjësit për arsim për shkollat fillore të Komunës së Çairit, për shkak të shumës së lartë të faturave për ngrohje, borxhet ndaj ngrohtores Shkup-Veri ende nuk janë shlyer. Melihate Rustemi