Sot në orët e pasdites policia ka arritur të shmangte një incident ndëretnik të nxitur nga tifozët "Luanët". Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.00 kur 20 tifozë maqedonas, kryesisht të rinj, kanë filluar të hedhin ofendime e sharje nga autobusi me numër 2 që vjen nga Autokomanda, sapo kanë mbërritur në stacionin e Bit Pazarit. Ndaj gjuhës së urrejtjes, qytetarët shqiptarë kanë reaguar duke dashur t'i zbresin të rinjtë nga autobusi, dhe t'i dorëzojnë në polici. Por, policia ka ndërhyrë menjëherë duke e mbyllur autobusin ku gjendeshin të rinjtë, duke i shoqëruar ata deri në stacionin policor.
"Axha pse me na e sha nënën dhe shkoq flamurin dëshiroj ta di ku gjendemi nç në Bullgari, në Shqipëri a në Maqedoni. Unë dëshiroj ta di ku jam. E morën flamurin e shqiptarëve dhe filluan ta shkynë dhe të na e shajnë nënat shqiptare. Në autobus, e dinë ata se çfarë kanë sjell, policia erdhën dhe neve nuk na lanë që t'i zbresim poshtë dhe t'i çojmë në polici ata le të merren me ta jo unë, le ti rreh hiqimeti që i ka leshu ato mangupa. Me e sha burrin pas 60 vjetëve është shumë rëndë, me ma sha kombin, fenë, flamurin le ta harroje atë. Ardhmëri maqedonët Gruevski asnjëherë nuk do të ketë me shqiptarët, ne ngatërrime të këtilla do të kemi gjithmonë, ardhmëri kur e përjetë dhe u them sot e një mijë vjet edhe me më burgos ky jam tjetër nuk bëhem", u shpreh një dëshmitar, okular.
Policia tha se është duke hetuar gjithë rastin. Sipas saj, 20 tifozët janë dërguar në polici ku dhe janë marrë në pyetje. Sipas ministrisë së brendshme, ngjarja ka filluar pas sjelljes së pahijshme të tifozëve " Luanët' të cilët po ktheheshin nga ndeshja futbollistike mes Skopjes dhe Makedonija Gjorçe Petrovit. Në këtë incident është regjistruar edhe dëmtimi i një makine. Gjyltene Rexhallari