Ekspozita e flamujve e organizuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë kanë bërë bashkë sot liderët e dy partive politike shqiptare në Maqedoni Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin.
Kjo ekspozitë hapet pas asaj në Shqipëri e Kosovës, dhe ngërthen flamujt shqiptarë ndër shekuj. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, ka shprehur kënaqësinë e tij fillimisht për bashkimin e dy liderëve shqiptarë, dhe për pritjen në qytetin e Tetovës.
"Ju shpreh mirënjohjen time dy miqve shumë të mirë, udhëheqësve shqiptarë të rëndësishëm Menduhit dhe Aliut për prezencën e tyre këtu dhe sigurisht nuk ia dijë vetes për meritë por ia dijë shqiponjës dhe flamurit që i bashkoi bashkë në këtë sallë. Ka një bukuri të jashtëzakonshme në këtë ekspozitë sepse, është rrugëtimi i flamurit tonë kombëtarë dhe shtetërorë bashkë, që nga 1911 kur Dedgjon Luli e ngriti atë jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë dhe deri në ditët e sotme." Edvin Rama, kryetar i PS.
Ekspozitën e përshëndetën edhe dy liderët e partive shqiptare, Thaçi e Ahmeti.
"Ju faleminderit që keni ardhur, kreut të PS Edi Rama kreut te BDI-së zotit Ali Ahmeti dhe organizatorëve, urime kreut të Komunës për këtë organizim. Do ishte një gabim shumë i madh nëse nuk e bëni këtë organizim këtu sepse në 1968 përveç gjithë Kosovës demonstrata të fuqishme për flamurin ka pasur edhe në Tetovë por më duket vetëm në Tetovë. Gjithnjë do i mirëpresim tentativat e Shqipërisë për të na mësuar shqipen kulturën shqiptare por do presim edhe shumë ndihma tjera prej Shqipërisë", u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
"Sigurisht që unë fitova nga rasti, zoti Thaçi që të mendohem pak më shumë se ju dhe ta hodha. Kjo ekspozitë iu ngjan tamam periudhave në të cilat kanë vepruar shqiptarët si tërësi që nga periudha e Skënderbeut e deri tek aktet më të larta të ushtrive çlirimtare, të Kosovës dhe asaj Kombëtare Rilindja Kombëtare dhe varësisht prej fazave, gjeneratave, plejadave që kanë drejtuar çështjen kombëtare ashtu pasqyrohet edhe ekspozita me çka e përgëzoj organizatorin", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Pas vizitës së përbashkët në ekspozitë, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka realizuar edhe një takim me kreun e PDSH-së Menduh Thaçi. Bashkim Sulejmani