Thaçi: Flamuri, të valëvitet në qendër të Shkupit

2015-08-21 3

Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi tha se mbështet të gjitha manifestimet kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë dhe flamurit, por se do të dëshironte që ato të shënoheshin në mënyrë të ligjshme dhe sipas Kushtetutës. Thaçi tha se BDI-ja si parti në pushtet duhej t'u mundësonte shqiptarëve që ta valëvitin flamurin në qendër të Shkupit dhe të qyteteve të tjera, e jo përmes organizimeve private.

"Po sigurisht duhet shqiptarët të manifestojnë mirëpo BDI-ja është parti qeveritare e cila duhet të përkujdeset që të sillen ligje të cilat do të mundësojnë që shqiptarët të ngrenë flamurin në qendër të Shkupit, në qendër të gjitha qytetarëve jo kështu të bëjë manifestime private. Flamurin shqiptarë, shqiptarët e ka ngritur edhe para BDI-së edhe para meje në mënyrë private por beteja jonë është që flamuri të jetë me ligj dhe në mënyrë kushtetutare", tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kryetar i PDSH-së Menduh Thaçi edhe një herë konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në manifestimin qendror që do të mbahet në Shkup të dielën, pasi sipas tij ftesa ka qenë vulgare.

"Ftesa e fundit ishte sa për ta larë gojën, nuk na kanë thirr në asnjë manifestim përpara, nuk na kanë konsultuar për asnjë manifestim, mirë në rregull le të festojnë krejt është atmosferë feste, dikush në Tetovë, dikush në Shkup, Dibër, Prishtinë, Tiranë. Po motoja jonë është e qartë, 100 vjet pa Shqipërinë, 100 vjet vuajtje për këtë komb, vazhdojnë këto vuajte edhe sot, 24 mijë të burgosur politik, prej para 100 vjetëve deri pardje me atë gruan 60 vjeçare", deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Thaçi Këto komente i bëri pas takimit me drejtorin e zgjerimit të KE-së Stefano Sanino, me të cilin bisedoi kryesisht rreth Samitit të dhjetorit të BE-së. Thaçi tha se në rast se Maqedonia humb edhe këtë herë shansin për të marrë datën e negociatave, atëherë vendi do të gjendet në një situatë më delikate që nga 2001-shi. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange