Përplasje argumentesh pro dhe kundër miratimit të ligjit për branitellat. 8 ditë debat 12 amendamente, kjo është pasqyra e cila flet për dinamikën e punës së Komisionit për punë dhe politikë sociale, ku debatohet rreth 15 mijë amendamenteve të BDI-së, të propozuar për të bllokuar miratimin e ligjit për branitellat, të propozuar nga VMRO-DPMNE-ja. Pas përfundimit të debatit rreth amendamentit të 12, koordinatori i grupit parlamentarë të BDI-së Talat Xhaferri i vetëdijshëm për epilogun e votimit, vendosi që amendamentin ta tërheq, duke ju pamundësuar kështu deputetëve maqedonas që ti mbivotojnë ata shqiptarë.
"Duke ditur se po që se vihet në votim ne rezultojë që ky amendament ti ketë dy vota tonat dhe të mos ketë mbështetje tjetër, po që se vihet në votim amendamenti nuk do të merr shumicën e duhur për atë arsye unë këtë amendament e tërheq", tha Talat Xhaferri, BDI.
Ndërkohë paraprakisht për dallim prej herëve tjera kësaj radhe përmes replikave në debat u përfshi edhe pala tjetër. Beti Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE-ja kritikoi kolegët e saj nga BDI-ja se gjatë gjithë kohës po përsërisin argumentet e njëjta.
"As që e dimë se për cilin amendament flasim, por është me rëndësi që të flasim, unë ju përgëzoj për përkushtimin që keni për të bllokuar ligjin", deklaroi Beti Kuzmanovska, VMRO-DPMNE.
"Ky propozim i juaj, kjo kërkesë e juaja është një dorezë e hedhur për ne, është një ftesë për dyluftim, ku kundërshtarit tuaj të gjitha ja keni mundësuar por vetëm një gjë ja keni marrë, ajo është arma", u shpreh Nexhati Jakupi, BDI.
Nga BDI-ja edhe njëherë sot bënë thirrje VMRO-s që të tërheq ligjin i cili përçan në baza etnike dhe të ulen bashkë për të hartuar një ligj përmes të cilit do të përfshihen të gjitha palët pjesëmarrëse në konfliktin e vitit 2001. Bedri Rexhallari