Dështon tenderi për zonën e lirë ekonomike në Tetovë

2015-08-21 3

Ka dështuar tenderi për zonën e lirë ekonomike në Tetovë. Sipas informatave të televizionit Alsat, tenderi është anuluar, pas konstatimit të komisionit se dy kompanitë e interesuara TBB nga Turqia dhe kompania norvegjeze SNS kishin mospërputhje të vogla në dokumentacionin e dorëzuar. Menjëherë pas konstatimit të lëshimeve u mor vendimi për shpalljen e një tenderi të ri që do të zgjasë 30 ditë kurse më së voni deri më 10 Janar të vitit 2013 do të shpallet kompania fituese, e cila menjëherë do të duhet të fillojë punën në terren. Ndryshe, realizimi i këtij tenderi është prioriteti kryesor ekonomik i ministrave të BDI-së në Qeveri. Vlerësohet se ruajtja e postit të ministrit të ekonomisë e Valon Sraçinit, nën ingjerencat e të cilit është zbatimi i tenderit, është lidhur pikërisht me zbatimin e suksesshëm të këtij tenderi. Ndërtimi i zonës ekonomike në Tetovë nga kompania fituese, përveç pikave politike për BDI-në, do të thotë nënkuptonte edhe zhvillimin e rajonit dhe rigjallërimin ekonomik të Pollogut. Prandaj, sipas informatave të Qeverisë, nga partia e Ali Ahmetit po tentojnë që të zgjedhin fituesin i cili me siguri do ta vë në funksion zonën dhe me të do të menaxhojë në interes të popullatës lokale, pasi për dallim nga praktika me shumë zona të tjera ekonomike në vend, zona e Tetovës nuk do të jetë në pronësi dhe menaxhim të shtetit, por kjo do të bëhet përmes formës së partneritetit publiko-privat, ku kompania do të kujdeset që mundësisht sa më tepër të sjellë kompani që do të punojnë në zonë. Dy kompanitë që hynë në fazën përfundimtare të vlerësimit, janë firma me renome të cilat në vendet e tyre punojnë me zona ekonomike dhe parqe. Zonat e kompanive turke në vit eksportojnë prej 6 deri më 7 miliardë euro, derisa përparësia e kompanisë norvegjeze është se pas saj qëndron qeveria në Oslo e cila vetëm për mbështetjen e zonave të tilla ka një fond prej tre miliardë eurosh. Po ashtu, firma norvegjeze ka përparësinë pasi vjen nga një vend me zhvillim të lartë ekonomik evropian dhe bashkëpunon me kompanitë që janë në një nivel të lartë teknologjik. Goran Temenugov

Free Traffic Exchange