Mjekët specialistë vazhdojnë të protestojnë

2015-08-21 1

Përveç në Shkup greva e mjekëve ka vazhduar edhe në qytetet tjera të vendit. Në spitalin e Tetovës për dallim nga kolegët e tyre të qendrës klinike në Shkup, mjekët specialist nuk dalin në protesta por qëndrojnë nëpër zyrat e tyre duke mos pranuar pacientë sa zgjat orari i punës. Mjekët kanë frikë të flasin publikisht për shkak të pasojave të mundshme, por janë të vendosur në vazhdimin e grevës deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ata thonë se deri tani kanë pranuar të gjitha rastet urgjente këtë e konfirmojnë edhe pacientët që anketoi televizioni Alsat.
"Kontrollojnë çdo herë, kur vij unë çdo herë më kontrollojnë. Pranojnë pa problem".
"Po na pranojnë në rregull është, për të pranua pranojnë".
Ndërkohë, mjekët specialistë në Shkup edhe sot protestuan para ministrisë së shëndetësisë, duke thënë se destinacioni i radhës i protestës, do të jetë edhe qeveria. Nga Sindikata e Pavarur e Qendrës Klinike thonë se numri i mbështetësve të grevës, po rritet nga dita në ditë, ndaj kanë nevojë për vend më të gjerë për zhvillimin e protestës.
"Me siguri, do e ndryshojmë mënyrën dhe vendin e protestës. Jemi shumë mbështetës për këtë hapësirë, prandaj do kërkojmë vend tjetër për të protestuar, diku afër urës "Goce Dellçev". Isha i befasuar që pas interesimit të kryeministrit rreth këtyre ngjarjeve, ai nuk pati përgjigje nga ministri, thjesht u injorua. Më habiti kjo marrëdhënie mes kryeministrit dhe ministrit", tha Dejan Stavriq, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Qendrës klinike.
"Shfrytëzohet që publikut ti prezantohet se nuk ka grevë. Kjo nuk është e vërtetë, siç mund edhe vet ta shihni. Dhe përdoret një mekanizëm që ne në psikiatri e quajmë negacion, një mekanizëm i mbrojtjes i cili është ndër më primitivët. Pra nuk dëshirojnë ta shohin problemin dhe ashtu mendojmë se nëse nuk e shohim problemin, i mbyllim sytë para problemit, ne do ët presim dhe problemi do të humbet. Kjo nuk do të ndodh, problemi nuk do të humbet",, deklaroi Kadri Haxhihamza, psikiatër specialist.
"Greva vazhdon! Numri i infermierëve dhe personelit tjetër shëndetësor, po rritet për çdo ditë. Ministri nuk na dëgjon. Nëpër spitale duhet të qëndrojnë vetëm dy deri tre persona, ndërsa të tjerët të dalin në grevë në mënyrë që ai të kuptojë se jemi shumë. Vetëm për të mirën e pacientëve, nuk duam të dalim të gjithë në grevë", theksoi Biljana Angelkoviq, Këshilli i infermiereve të Qendrës klinike.
Edhe sot mjekët i kishin hapur zyrat e tyre për kontrolle për pacientët, ndërsa për ndërhyrje më të rënda, vetëm në raste urgjente. Në qendrën kirurgjike, në vend të 70 operacioneve të zakonshme, sot u kryen vetëm 10. Bojana Simonoviq