Debat i ashpër ka bllokuar punën e komisionit për çështje sociale, duke cuar në ndërprerjen e seancës dhe derivimin e çështjes tek komisioni tjetër, ai për çështje të rregullores dhe mandateve. Për rreth 2 orë e gjysmë debat, vetëm përmes ndërhyrjeve procedurale, BDI-ja nuk lejoi propozimet e VMRO-DPMNE-së për kufizim të fjalimeve rreth amendamenteve rreth ligjit për branitellat, të propozuar nga VMRO-DPMNE-ja.
"Kërkoj nga ju që të ndërpritet seanca dhe të thërrasim seancë të Komisionit për çështje të rregullores, mandatit dhe imuniteteve për të na bërë një interpretim lidhur me propozimin i cili k ardhur sot...Kërkoj pra edhe njëherë nga ju të ndërpresim seancë dhe të kalojmë çështjen për interpretim tek rregullorja, mandatet dhe imunitetet", deklaroi Ermira Mehmeti-Devaja, BDI.
"Kemi të drejtë legjitime nga zv/koordinatori në bazë të përcaktimeve të rregullores. Meqenëse ka dilema mes deputetëve, a kemi edhe mekanizma që të largohet dilema, për këtë shkak e ndërpres këtu seancën, derisa nuk vendos rreth kësaj çështje Komisioni për çështje të rregullores dhe mandatit", tha Cvetanka Ivanova, kryetare e Komisionit.
Ndërkohë, paraprakisht anëtarët e VMRO-DPMNE-së kishin parashtruar 5 kërkesa ndër të cilat edhe atë për kufizimin e diskutimeve.
"Nuk ka qëllim të keq, thjesht në interes të efikasitetit, në rast se pajtohen anëtarët Komisioni ta pranojnë nenin 86 për kufizim të fjalimeve në interes të punës më efikase të këtij Komisioni", theksoi Sillvana Boneva, VMRO-DPMNE.
"Përmbajtja e dispozitave të propozuara është tendencë për të vendosur disiplinë dhe për të imponuar vullnetin e shumicës në mënyrë arbitrare, paraqet një sjellje tërësisht antidemokratike dhe që rrezikon të vendos diktat për të mos thënë diktaturë në punën e kuvendit", deklaroi Nexhati Jakupui, BDI.
Edhe PDSH-ja u shpreh kundër propozimit të VMRO-s, dhe njëkohësisht kritikoi BDI-në që amendamentet i ka dorëzuar në gjuhën maqedonase.
"Dëgjova që amendamentet akoma nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe, A në gjuhën maqedonishte i keni dorëzuar, 15 mijë, jeni lodhur duke shkruar, edhe një dëshmi se gjuha shqipe nuk është zyrtare. Ne jemi kundër këtij propozimi të VMRO-DPMNE-së që të kufizohen diskutime", u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.
Ndërkohë, në mbështetje të kërkesave të VMRO-së u vunë anëtarët e komisionit nga radhët e LSDM-së, edhe pse në fazën e parë të këtij projekt/ligji pikërisht, LSDM-ja kishte një kërkesë të tillë e cila nuk u mbështet nga VMRO-DPMNE-ja.
"Ne propozimin për kufizim që kanë të bëjnë vetëm për këtë seancë, me të vetmin qëllim që komisioni të punoj në mënyrë më efikase, ne do ti mbështesim", tha Vesna Bendevska, LSDM.
Ditë më parë grupi parlamentar i BDI-së parashtroi edhe 10 mijë amendamente për projekt/ligjin për branitellat, por që nuk u pranuan nga kuvendi, me pretekstin se kishte skaduar afati për parashtrim të amendamenteve. Ndërkohë që BDI-së, si armë e vetme për të bllokuar miratimin e projekt/ligjit për branitellat, i mbeten 15 mijë amendamentet...