Normalizim me Serbinë pa cenuar tërësinë e Kosovës

2015-08-21 3

SHBA-të dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun deri në normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Pas takimit në Prishtinë me drejtuesit e lartë të institucioneve shtetërore, Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Ketrin Eshton ia bënë të qartë presidentes Jahjaga dhe Kryeministrit Thaçi se dialogu duhet të vazhdojë bashkë me zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura. Klinton, megjithatë, qartësoi se dialogu nuk do të prek në asnjë formë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe se nuk do të pranohet në asnjë mënyrë që të diskutohen çështjet që prekin në kufijtë dhe territorin e Kosovës.
"Do të jem shumë e qartë, jo vetëm këtu në Prishtinë por për të gjithë ata që na dëgjojnë e shikojnë në rajon se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Dialogu është esencial, ky siguron një rrugë të prosperitetit afatgjatë. Ne po punojmë bashkërisht me Bashkimin Evropian në këtë drejtim, dhe unë dua që personalisht ta përshëndes kryeministrin Thaçi, që ka marrë guximin politik për takimin me kryeministrin Daçiq në Bruksel. Ky ka qenë një veprim i guximshëm", deklaroi Hilari Klinton, Sekretare amerikane e shtetit.
Në anën tjetër, shefja e diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton, ka deklaruar se Bashkimi Evropian u ka ofruar tashmë perspektivën evropiane Kosovës dhe Serbisë. Pas takimit të parë që organizoi ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq, Eshton ka theksuar se do të ketë edhe takime të tjera.
"Dialogu nuk është i lehtë, për asnjërin nga kryeministrat, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Ky dialog ka për qëllimin ndërtimin e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që janë në veri të vendit. Kjo bëhet duke biseduar hapur dhe lirshëm. Thaçi dhe Daçiqi janë treguar guximtarë për takimin e mbajtur në Bruksel", tha Ketrin Eshton, shefe e diplomacisë evropiane.
Kryeministri Hashim Thaçi nga ana tjetër ka thënë se Kosova është e interesua për vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e raporteve me Serbinë por ka tërhequr shqetësimin edhe për praninë strukturat e pushtetit të Serbisë në veri të Kosovës të cilat po pamundësojnë normalizimin e gjendjes atje dhe shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës.

Para vizitës në Kosovë, Klinton e Eshton kanë qëndruar në Sarajevë dhe më pas në Beograd. Pas takimeve me Presidentin Nikoliq dhe kryeministrin Daçiq sekretarja amerikane e shtetit ka deklaruar se SHBA-të mbështesin procesin e integrimit everopian të vendeve të rajonit dhe njëkohësisht ka përkrahur dialogun Beograd -- Prishtinë, duke theksuar se kjo nuk nënkupton se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, por gjithashtu ka rikujtuara autoritetet serbe se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe sovran. Isuf Kadriu

Free Traffic Exchange