Myslimanët në Maqedoni shënojnë ditën e Kurban Bajramit

2015-08-21 2

Besimtarë myslimanë në Maqedoni sot kremtojnë Kurban Bajramin. Manifestimi qendror i faljes së namazit të kësaj dite të rëndësishme u mbajtë në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Besimtarët, si çdo vit kryen ritet fetare, dhe më pas, u rikthyen në gjirin familjar për të uruar njëri tjetrin, si dhe për të shkëmbyer vizita. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zoti dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.
"Pasi që në sot falëm namazin e Kurban bajramit dhe bëmë lutjet e duhura ashtu siç edhe kërkohet nga rregulli për manifestimin e kësaj feste shfrytëzoj rastin që shoqërisë tonë, gjithë myslimanëve në sipërfaqen e tokës t,ua uroj festën e Kurban Bajramit duke shpresuar te Allahu xh.sh që këtë ditë madhështore ta bekoj dhe kjo ditë ishalla të kaloj ashtu në mënyrë dinjitoze siç e kërkon rregulli dhe siç parashihet sipas mësimeve islame, me hare me gëzim. Duke i nderu të gjithë ato familje, të gjithë ata njerëz të cilët kanë nevojë që kjo ditë të shërbejë për gëzimin dhe fatbardhësinë e tyre. Uroj që Allahu xh.sh gjitha mëkatet eventuale të kësaj dite ti falë dhe gjithë myslimanët, gjithandej botës ti mëshirojë dhe le të jetë ditë e paqes, ditë e gëzimit dhe haresë", deklaroi Fahrudin Ebibi, dekan i Fakultetit të shkencave islame.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Kurban Bajramit konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një kurban që i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë një pjesë të mishit, dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Çdo festë e myslimanëve e ka urtësinë dhe porosinë e vet, por porosia e Kurban-Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë, flijimit dhe sakrificës, sepse përveç tjerash është edhe kurorëzim i Haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, devotshmëria dhe madhështia e Ymetit të Muhamedit alejhi sel-lem. Haxhi është moment ekskluziv i eliminimit të të gjitha diferencave nacionale, racore dhe klasore. Është një demonstrim i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të myslimanëve ngado që ata të kenë ardhur. Është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit duke reflektuar gatishmërinë për t'i sakrifikuar interesat shpirtërore e materialë në shërbim të Allahut dhe duke rikujtuar se Qabeja është edhe drejtim shpirtëror i të gjithë myslimanëve. Derisa dita e Fitër Bajramit karakterizohet me namaz dhe Sadakatul fitr, dita e Kurban Bajramit me namaz dhe flijim" Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbëlsira të shumta, të cilat duhet u shërbehen miqve. Melihate Rustemi

Free Traffic Exchange