Debati i dytë, përplasen Obama dhe Romney

2015-08-21 2

Kandidatët presidencialë amerikanë Barak Obama dhe Mit Romni u përballën në Nju Jork, në një duel të ashpër televiziv, akoma më agresiv nga ai në Denver. Në fokus të duelit të dytë ishte ekonomia dhe politika e jashtme. Më shumë polemika nxiti çështja e sulmeve të 11 Shtatorit në Libi në të cilin u vra ambasadori amerikan Kristofer Stivens dhe tre amerikanë. Romni e akuzoi Obamën se pas sulmit shkoi që të mblidhte donacione zgjedhore në Las Vegas dhe pastaj, vendosi të thoshte se sulmi kundër konsullatës në Bengazi, ishte terrorist.
"Kaluan shumë ditë para se të mësonim se bëhet fjalë për demonstrata spontane apo sulm terrorist. Ai ishte një sulm terrorist, kurse presidentit i nevojitej kohë që t'i tregonte popullit amerikan se për çfarë sulmi bëhej fjalë", deklaroi Mit Romni, kandidati për president të SHBA.
Obama u përgjigj se qysh ditën e parë pas sulmit, kishte deklaruar se bëhej fjalë për terrorizëm.
"Një ditë pas sulmit, së bashku me guvernatorin deklaruam publikisht përpara botës se do t'i zbulojmë autorët e këtij sulm terrorist. Theksova se do t'i kapim të gjithë ata që janë pjesë e këtij akti. Disa ditë më vonë iu shpreha ngushëllime familjeve të viktimave", tha Barak Obama, presidenti i SHBA.
Për sa i përket ekonomisë, Obama e akuzoi Romnin se është kandidat vetëm i shtresës së pasur amerikane i cili premton se do të ulë tatimet.
"Guvernatori Romni thotë se ka një plan prej pesë pikash. Por, nuk është ashtu. Plani i tij ka vetëm një pikë, sigurimin e kushteve më të volitshme për ata që janë më të pasur. E tillë ishte filozofia e tij edhe si guvernator, e tillë është edhe tani si kandidat presidencial", deklaroi Barak Obama, presidenti i SHBA.
Republikani Romni u përgjigj se gjatë 4 viteve të kaluara, ekonomia ka shënuar rritje të ulët, të papranueshme, ndërkohë që shkalla e papunësisë vazhdon të rritet dukshëm.
"Politika që presidenti shpalosi përgjatë 4 viteve të fundit, nuk siguroi vende të reja pune. Sot kemi një papunësi shumë më të lartë se sa ishte kur ai mori këtë post. Nuk kemi kurrfarë përparimi. Plani im prej pesë pikash, do t'i sjellë Amerikës për 4 vjet, 12 milion vende të reja pune dhe rritje pagash", u shpreh Mit Romni, kandidati për president të SHBA.
Sondazhet pas debatit tregojnë se Obama ishte më i mirë, por, me shumë pak dallim. Romni doli fitues në debatin e parë, kështu që popullariteti i kandidatëve është barazuar. Debati ardhshëm dhe i fundit mes dy kandidatëve është caktuar për në 22 tetor. Petar Bllazhevski