Çair, edhe tre përmendore të etnive të tjera

2015-08-21 0

Marrin fund polemikat për vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Komunës së Çairit, këshilltarët i dhanë dritën jeshile vendosjes së kësaj përmendoreje para qendrës tregtare Mavrovasja, në bazë të proceduarave ligjore. Sipas kryetarit të Këshillit Azam Dauti, përveçse është miratuar vendosja e përmendores së Hasan Prishtinës, në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe propozimet e këshilltarëve maqedonas, turq dhe boshnjak. Këta të fundit kanë propozuar që në territorin e Komunës së Çairit të vendosen edhe tre përmendore të kulturës dhe historisë maqedonase, turke dhe boshnjake. Në bazë të informacioneve që morëm, pala turke ka kërkuar vendosjen e përmendores së Jahja Kemalit, ndërkohë që pala maqedonase dhe boshnjake nuk ka pasur ndonjë figurë konkrete personaliteti të njohur të historisë dhe kulturës së tyre.
"Këto vendime u sollën me votim të dyfishtë që do të thotë se u respektua plotësisht votimi i dyfishtë. Në të gjitha këto pika votimet kanë qenë përafërsisht të njëjta, për shembull për Hasan Prishtinën ishin 21 këshilltarë për vetëm 2 kundër dhe po ashtu nga votimi i ashtuquajtur Badenterit 6 për dhe 2 kundër, që do të thotë nuk ka pas kurrfarë pengesash të tjera nga këshilltarë përkundrazi ata shprehen një respekt ndaj kulturave të popujve të cilët jetojnë në kuadër të Komunës së Çairit dhe sidomos ndaj figurës së Hasan Prishtinës i cili edhe pothuajse në mënyrë unanime u pranua", deklaroi Azam Dauti, kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit.
Vetëm një ditë më parë, këshilltarët maqedonas të komunës së Çairit u ndjenë të habitur nga anashkalimi lidhur me vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup. Ata u ankuan se dëgjonin vetëm nga mediat, dhe asnjëherë më parë nuk kanë qenë informuar brenda këshillit për këtë projekt, ndërkohë që përmendorja është ndërtuar tashmë, e madje ishte caktuar edhe vendosja e saj, më 14 Tetor. Por, kreu i komunës Izet Mexhiti, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se përmendorja e Hasan Prishtinës vendoset, në respektim me normat ligjore dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Melihate Rustemi

Free Traffic Exchange