Rekomandimi i katërt i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave aderuese për Maqedoninë këtë vit ofrohet në një formë të re. Ai është shoqëruar me një kornizë për çështjen e emrit. Konkretisht, Komisioni Evropian kërkon nga shtetet anëtare që Maqedonia të mund të fillojë negociatat aderuese me BE-në dhe paralelisht, të vazhdojë bisedimet me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Mirëpo, siç theksoi komisioneri evropian për zgjerim Shtefan Fyle, kjo kornizë gjithashtu përfshin një afat, që çështja e emrit të zgjidhet në fazat e hershme të negociatave të aderimit.
"Ne nuk bëjmë kompromis për sa i përket marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Ne nuk bëjmë kompromis në zgjidhjen e çështjes së emrit, ajo është esenciale që të ecim përpara, nuk jemi kontradiktor këtu, gjëja e re që është aty është se ne e themi në mënyrë të qartë, dhe kemi arsye për këtë se adresimi i kësaj çështjeje dhe gjetja e zgjidhjes në fazën e hershme të bisedimeve të aderimit do të krijojë një atmosferë më të favorshme për zgjidhjen e tij. Adresimi i çështjes së emrit në kornizën e bisedimeve të aderimit se ne nuk e parkojmë çështjen e emrit në fund të procesit, do të funksionojë vetëm nëse zgjidhet në fazë të hershme", deklaroi Shtefan Fyle, komisionari evropian për zgjerim.
Arsyeja e ofrimit të kësaj kornize, siç theksoi komisionari Fyle në Bruksel, përveç nxitjes së zgjidhjes së emrit, bëhet edhe me qëllim që procesi i reformave të mos ngecë më, si dhe të sigurojë përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Fyle u shpreh i shqetësuar se 11 vjet pas firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit, mes bashkësive etnike janë ri-aktivizuar keqkuptimet. Në raport, shumë herë theksohet se partnerët e koalicionit duhet të vazhdojnë përpjekjet për përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe pajtimit mes tyre, përfshi zgjidhjen e statusit të viktimave të konfliktit të 2001-shit.
"Pavarësisht se kush i vëzhgon zhvillimet në atë shtet, do të shqetësohet se 11 vjet pas firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit ka keqkuptime të riaktivizuara, jo tensione në baza etnike. Dhe deri në një shkallë, i kuptoj ata analistë që thonë se integrimet euro-atlantike dhe procesi i integrimeve është aktualisht ngjitësja apo korniza që mbanë të fuqishme strukturën ndëretnike të IRJM-së", u shpreh Shtefan Fyle, komisionari evropian për zgjerim.
Fylë nga ana tjetër, theks të veçantë i vendosi edhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Në këtë kuadër ai e cilësoi si mjaft serioz Memorandumin që autoritet greke para disa ditësh i nisën ministrit të Jashtëm Nikolla Poposki. Fyle tha se shpreson që Maqedonia do të japë përgjigje pozitive ndaj kësaj nisme, ku gjithashtu mund të përfshijë sugjerimet e saj. Por nga ana tjetër se sa është korniza kohore për të zgjidhur çështja e emrit, ambasadori i BE-së Aivo Orav tha se nuk është caktuar. Megjithatë siç theksoi ai sa më shpejtë që zgjidhet aq më mirë do të jetë për vendin.
"Tani për tani nuk ka afat kohor se kur do të zgjidhet problemi i emrit. Nëse ...