'HAXHI', MPB-ja pranon ekzistimin e vizave dalëse

2015-08-21 7

Një ditë pasi njoftuan se nuk ka kufizime për udhëtimin e shtetasve të Maqedonisë për cilindo shtet nëse posedon vizën e tyre, MPB me shpjegime plotësuese, megjithatë pranon se ekziston dispozitë që nga viti 1993 e cila obligon marrjen e vizës dalëse nga vendi për qytetarët që udhëtojnë në Arabin Saudite në periudhën e Haxhit. Nuk bëhet fjalë për dispozitë ligjore, por vetëm rregullore e cila obligon qytetarët që të marrin këtë vizë ose vulë për dalje nga shteti.
"Të gjithë ata që do të marrin viza për të shkuar në haxh në Arabinë Saudite kanë për obligim që të kalojnë të gjitha kontrollet mjekësore dhe sanitare, të nxjerrin dokument adekuat nga inspektoratet përgjegjëse dhe më pas me të gjitha dokumentet e kompletuara të vijnë në hapësirat e MPB-së, gjegjësisht njësitet rajonale në zyrat për të huaj ku do t'ju vendoset vulë dalëse që dëshmon se i posedon të gjitha dokumentet e nevojshme për të udhëtuar në haxhë në Arabinë Saudite. Këtë procedurë e kemi miratuar në bazë të një rregulloreje e cila u miratua që nga viti 1993", tha Ivo Kotevski -- zëdhënës i MPB-së.
Individualisht askush nuk mund të shkojë në MPB të kërkoj këtë vizë dalëse nëse nuk është pjesë e listave që i ka dorëzuar BFI-ja Ministrisë së Brendshme, thotë zëdhënësi Kotevski. Çdo haxhi sipas Kotevskit për vizën dalëse duhet të paguaj vetëm 150 denar e jo siç kanë vepruar organizatorët e udhëtimeve, të cilët haxhilerëve u kanë marrë nga 5 euro.
"Vulën që e vendos në pasaportë të haxhilerëve MPB-ja, paguhet, gjegjësisht e gjithë procedura për kontrollim, aplikim dhe për kontrollo të dokumenteve që të vendoset vula, kap vlerën prej 150 denarëve ose 2 euro e gjysmë. E vetmja që është kompetente për të dhënë viza për në haxhë dhe partner i vetëm në i kompetencave shtetërore të Arabisë Saudite në Maqedoni është BFI-ja", theksoi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Kjo dispozitë vlen vetëm për udhëtimin në Arabin Saudite dhe për asnjë vend tjetër ku udhëtojnë qytetarët e Maqedonisë.
"Vendimi që është miratuar që nga viti 1993 ka të bëjë vetëm me udhëtimin e shtetasve të Maqedonisë në Arabinë Saudite gjatë periudhës së haxhit. Procedura adekuate ekzistojnë edhe për shtete tjera, vende të cilat llogariten si vende që ekziston ndonjë rrezik i caktuar nga ndonjë sëmundje që nuk ekziston në Maqedoni por atje sigurimi i të gjitha dokumenteve është individual dhe bie në kurriz të personit që udhëton", u shpreh Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së
Kjo dispozitë apo rregullore e MPB-së që ekziston që nga viti 1993 hap dilema tjera: A është ajo në kundërshtim me kushtetutën e vendit dhe vallë a shkelen të drejtat për qarkullim të lirë të qytetarëve të vendit duke pasur parasysh faktin se në rast se një qytetar i Maqedonisë është pajisur me vizë për të udhëtuar në Arabinë Saudite në mënyre individuale nuk do të guxojë të braktisë vendin deri sa të kryhet haxhi pasi që nuk mund të pajiset me vizën dalëse pa aminin e BFI-së. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange