Tetori është muaji i luftës kundër kancerit në gji

2015-08-21 2

Për çdo ditë në Maqedoni diagnostifikohen nga dy raste të reja të të sëmurëve nga kanceri në gji. Çdo vit në Maqedoni rreth 290 persona vdesin si pasojë e kësaj sëmundjeje. Preventiva dhe diagnostifikimi i hershëm janë faktorë kyç për uljen e shkallës së vdekshmërisë. Nëse sëmundja zbulohet në fazë të hershme, 98% të rasteve janë të shërueshme. Pacientët në Maqedoni që vuajnë nga kjo sëmundje, ballafaqohen me shumë probleme, thonë nga shoqata për luftë kundër kancerit "Borka".
"Pacientët detyrohen të presin për biopsinë nga dy, e ndonjëherë edhe nga tre muaj për shkak të mungesës së patologëve të trajnuar, mungesës së informimit për mundësitë e terapive, madje edhe për shkak të programeve të shpeshta "Sviç Off" në mes të terapisë së pacientëve, Gjithashtu ka probleme me implementimin e skriningut të organizuar për zbulimin e hershëm të kancerit, pastaj ka probleme me përkujdesjen e pjesërishme të pacientëve me karcinom metastaze në fazën terminale e kështu me radhë", tha Biba Dodevska, kryetare e shoqatës "Borka".
Ndonëse gjatë kohë po paralajmërohet projekti për skrining të organizuar të kancerit të gjinjve ku do mundësohet të konfirmohet sëmundja, ky projekt ende as që ka filluar. Nga Ministria e Shëndetësisë këtë e paralajmërojnë për në prill të vitit të ardhshëm.
"Ne si shtet duhet të përpiqemi jo vetëm t'i presim gratë, por ne duhet t'i ftojmë me kartela siç bëjnë Testin Pap dhe t'i ftojmë që të bëjnë kontroll mamografik falas dhe kjo do jetë, siç planifikohet, gjithmonë themi në vitin e ardhshëm. Por, tash është e vërtetë se planifikohet për vitin e ardhshëm, pra, në prill të fillojë skriningu i organizuar", tha Dr. Jovanka Kostovska, Ministria e shëndetësisë.
Kanceri në gji është sëmundja malinje më e shpeshtë tek gratë. Numri i të sëmurëve në suaza botërore gjithnjë po rritet. Shumica e grave që vdesin nga kjo sëmundje janë nga shtetet zhvillim, por në suaza botërore, edhe përkundër zhvillimit të medicinës, numri i vdekjeve shënon rritje. Sot me konferencën e pestë për luftë kundër kancerit në gji, u shënua muaji i tetorit si muaji botëror kushtuar luftës kundër kësaj sëmundje. Bojana Simonoviq