Gruevski: Nuk do të ketë ligjë për statusin e UÇK-së, tabelat e shkollave do të hiqen

2015-08-21 0

Qeveria Gruevski me votat e BDI-së mbijetoi votëbesimin e ngritur nga LSDM-ja opozitare. BDI-ja e Ahmetit në rolin e shpëtimtarit dhe partnerit besnik të Gruevskit votoi kundër votëbesimit, duke shpëtuar kështu Qeverinë 'Gruevski'. Megjithatë ky i fundit si kundërshpërblim ndaj kësaj, u shpreh i prerë se është kundër miratimit të ndonjë ligji, i cili do t'u siguronte ndonjë të drejtë sociale ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Madje këtë strukturë ai e cilësoi si të ashtuquajtur. Partneri i koalicionit të BDI-së, u shpreh i revoltuar edhe nga intonimi i himnit kombëtar shqiptarë gjatë fillimit të vitit akademik në USHT. Ndërsa nuk harroi pa përmendur se duhet miratuar Ligji për branitellat.
"Mendoj se intonimi i Himnit kombëtarë gjatë fillimit të vitit shkollor apo studentorë, mund të vlerësohet si provokim edhe përkundër respektit ndaj asaj himne dhe fqinjëve tanë nga Shqipëria me të cilët kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Në momente te këtilla, nuk duhet të keqpërdoret himni i një shteti tjetër. Unë vlerësoj se Kuvendi duhet të miratoj ligj për përforcimin e të drejtave të Branitellave, por nuk vlerësoj se duhet të miratohet ligj për të ashtuquajturit luftëtarë të UÇK-së", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Megjithatë Gruevski nuk u ndal me kaq. Ai vijoi se përmenduri edhe rastet tjera si ai i Sllupçanit kur iu bënë nderime dëshmorëve dhe martirëve shqiptarë nga drejtuesit e politikës shqiptare në Qeveri. Kryeministri në mënyrë kategorike u shpreh edhe kundër ndryshimit të emrave të shkollave fillore në Komunë të Çairit.
"Unë mendoj se ngjarja në Sllupçan ishte kontraproduktive, edhe pse në opinion u tha se qëllimi ka qenë një farë pajtimi. Megjithatë ajo nuk u kuptua si e tillë, por si provokim parazgjedhor. Për mua ajo është diçka e papranueshme, andaj menjëherë e kamë thirrë ministrin e Mbrojtjes dhe ia kamë thënë atë direkt. Haptas dhe në mënyrë të ashpër kam reaguar ndaj asaj sjelljeje. E dyta, mendoj se ndërrimi i dhunshëm i tabelave të shkollave është akt provokues, edhe përkundër faktit se në disa nga to shkolla mësojnë mbi 95 apo edhe 100 për qind nxënës shqiptarë", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Pas përfundimit të kësaj ekspozeje, kryeministri Gruevski, shpëtoi Qeverinë edhe me votat e Partisë së Ahmetit. Në votimin që u zhvillua pak para mesnatës, 42 deputetë ishin për votëbesim, 68 kundër. Në bazë të këtij epilogu të votimit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbijetoi votëbesimin e ngritur nga LSDM ja opozitare. Deputetët e VMRO DPMNE-së dhe të BDI-së votuan kundër nismës së LSDM-së, derisa PDSH-ja ishte e përmbajtuar nga votimi, RDK-ja e Osmanit mbështeti nismën e LSDM-së, por votat e saja bashkë me ato të LSDM-së, nuk ishin të mjaftueshme për të rëzuar Qeverinë e Gruevskit. Bedri Rexhallari