Përmendorja e heroit shqiptar Hasan Prishtina së shpejti do të vendoset edhe në Shkup. Shtatorja 3 metërshe e derdhur në bronz e Hasan Prishtinës do të vendoset mbi këtë postament që gjendet përballë qendrës tregtare Mavrovasja, ndërsa është vepër e skulptorit Artan Peqini. Kryetari i Komunës së Çairit i cili është iniciator i këtij projekti, thotë se bëhet fjalë për një nismë mbarëkombëtare, e që vjen një vit pas ngritjes së shtatores së Hasan Prshtinës në Prishtinë ndërsa në nëntor do të vendoset edhe në Tiranë.
"Është projekt mbarëkombëtar, vitin e kaluar është vendosur në Prishtinë, po vendoset në Shkup më 14 tetor duhet të pason në Tiranë në nëntor, projekt që udhëhiqet nga Lulzim Basha. Ne po bëjmë përgatitjet e fundit për vendosjen e Hasan Prishtën në Shkup, në një udhëkryq tejet të rëndësishëm, në rrugën më frekuente të Maqedonisë, përballë Qendrës tregtare Mavrovasja ku po punohet bazamenti. Kësaj i paraprin promovimi i librit, i një filmi dokumentar për Hasan Prishtinën dhe një akademi solemne me 12 tetor", deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
I gjithë projekti kap vlerën prej 72 mijë euro, ndërsa është donacion i Mehmet Prishtinës, familjar i heroit shqiptar. Vendosja e përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup për familjarët e tij paraqet emocion të veçantë për faktin se siç thonë, ai ka dhënë kontribut të madh për Shkupin.
"Është një emocion i papërshkuar sepse dihet se Hasan Prishtina ka qenë i lidhur ngushtë me Shkupin dhe pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij e ka zhvilluar këtu...me datë 14, nuk është e rastit sepse me 14 tetor është mbajt Kuvendi i Shkupit ku kalohet nga kërkesa për autonomi për Pavarësi të Shqipërisë, Shkupi ka qenë kryeqytet i Vilajetit të Kosovës dhe sipas Hasan Prishtinës do të ishte edhe kryeqytet i Shqipërisë, kështu e shohin ne si familjar", u shpreh Mehmet Prishtina, familjar i Hasan Prishtinës.
Së bashku me bazamentin përmendorja e Hasan Prishtinës do të jetë 5 metra e gjatë. Mexhiti tha se është çështje ditësh kur do të vendosen edhe përmendoret e Nexhat Agollit, Josip Bagerit dhe Pjetër Bogadanit në qendër të Shkupit. Semra Jakupi