Tetovë, varroset ish ushtari i UÇK-së

2015-08-21 2

Me nderime fetare në varrezat e Tetovës, mijëra bashkëqytetarë i dhanë sot lamtumirën e fundit Ibrahim Sulejmanit, ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, i cili në rrethana ende të panjohura humbi jetën në burgun e Shtipit. Në ceremoninë e varrimit të Sulejamanit, nuk morri pjesë asnjë përfaqësues politik.
I ndjeri Ibrahim Sulejmani, pas vetes ka lënë vetëm një djalë, Fitimin 8 vjeçar, i cili sot i dha lamtumirën e fundit babait të tij.
Nga Ministria e Drejtësisë njoftuan dje se vdekja ka qenë natyrore dhe nuk janë vërejtur shenja të dhunës në trupin e pa jetë të 39 vjeçarit Ibrahim Sulejmanit. Nga dikasteri i Blerim Bexhetit paralajmëruan se janë duke hetuar arsyet dhe rrethanat në të cilat humbi jetën Ibrahim Sulejmani. Por SHVL e UÇK-së ka ngritur dyshime mbi vdekjen e Sulejmanit.
"Në përforcim të ngritjes së dyshimit për një përfundim tragjik të të riut të pa nënshtruar , vjen edhe nga SHVL-UÇK dhe familjet e martirëve, nga aspekti moral, juridik, humanitar, kombëtar. Së bashku me ju, sot u drejtohemi Institucioneve Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhembja juaj për humbjen e zotit të shtëpisë Ibrahimit, po thellohet tek të gjithë anëtarët e UÇK-së, veteranët e luftës së vitit 2001, e më gjerë", thuhet në telegramin e SHVL-së së UÇK-së, të Fazli Veliut.
Tre muaj më parë Ibrahim Sulejmanit i vdiq i ati por institucionet nuk i mundësuan të ndjerit atij që të merr në varrimin e babait të tij. Ibrahim Sulejmani vuante dënimin me burg prej 15 vjetëve, ndërsa në burgun e Shtipit ka qëndruar 4 vjet e gjysmë. Ai ishte dënuar për vepra që kishin të bënin me krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001, ndërsa me interpretimin autentik të Ligjit për amnisti në Kuvend Ibrahim Sulejamni priste lirimin e tij. Shkëlzen Aqifi