Për të gjithë qytetarët që kanë paguar dru për nxehje në maj, kurse ende kanë këste për të paguar, do të vlejë vendimi i Qeverisë për uljen e çmimit për 10 për qind ndërsa për rastet sociale 20 për qind. Kreu i ndërmarrjes publike thotë se dru do të ketë për të gjithë dhe se depot tashmë po mbushen. Megjithatë, në një pjesë të depove të Shkupit gjendja është e njëjtë si para disa ditëve, përkatësisht dru ka pak.
"Të gjitha këstet e mbetura për personat fizik, pensionistët, shoqatat, sindikatat që kanë lidhur kontratë ose blerë drunj nga muaji maj, shuma e mbetur e kësteve do të ulet për 10 për qind. Kjo është për shkak se asnjë vendim nuk mund të zbatohet në mënyrë retroaktive. Shikuam që të bëjmë që ti kënaqim të gjithë qytetarët dhe zvogëlimi të jetë real dhe qytetarët të mos e ndjejnë si një goditje", tha Zharko Karaxhoski, drejtor i NP "Pyjet e Maqedonisë".
Karaxhoski thotë se kjo masë do ta bëjë ndërmarrjen jo likuide, edhe pse do të zvogëlohen të ardhurat që kompania i realizon. Për shkak të kësaj, siç tha ai, nuk do të ketë investime të reja, por para për paga dhe për kontributet e punonjësve do të ketë.
"Për shkak të gjendjes sociale në të cilën gjendemi të gjithë ne, do të shkurtojmë diçka nga investimet që i kishim planifikuar. Ne planifikonim që këtë vit të shpenzojmë 130 milionë denarë investime dhe madje nga mjetet tona personale. Por, sipas evidencës tonë deri në fund të prillit të ardhurat mund të na zvogëlohen për 50 milionë, dhe kjo është e durueshme për ne", theksoi Zharko Karaxhoski, drejtor i NP "Pyjet e Maqedonisë".
Çmimet e reja të drurit të ahut janë 2.133 denarë për familjet dhe 1896 denarë për rastet sociale. Ndërkaq, drurin e dushkut familjet do ta paguajnë me çmim prej 2.205 denarë për metër kub, kurse rastet sociale dushku do t'iu kushtojë 1960 denarë për metër kub. Rastet sociale mund të blejnë vetëm 5 metra kub me çmim të privilegjuar, kurse mbi këtë do të paguajnë sipas çmimit të rregullt. Çmimet e reja, më të ulëta, do të vlejnë deri më 15 prill të vitit 2013, kur përfundon sezoni i ngrohjes. Verica Pavlloski