Shpërthen kryetarja e komisionit për punë dhe politikë sociale, Cvetanka Ivanova duke e quajtur 'lojë' të koalicionit qeveritar projekt-ligjin për Branitellat. Ivanova madje akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe kreun e parlamentit Veljanoski se kanë shkelur rregulloren e Kuvendit që në momentin kur për Komision amë të ligjit për Branitellat kanë caktuar Komisionin për punë dhe politikë sociale.
"Çfarë më mbetet mua si kryetare e Komisionit, gjithnjë ta caktoj këtë seancë dhe të vazhdojmë. Lojërat janë të juajat, nuk është sukses ajo që mossuksesin e hidhni në teren të huaj. Dhe për këtë uluni, ju jeni shumicë parlamentare, mos luani me këso çështjesh të ndieshme. Uluni dhe merruni vesh". Juve si shumicë parlamentare ju mbetet ta zhbllokoni këtë proces në të cilin u futët vetë dhe në të cilin praktikisht shihet qartë para opinionit se kush e humb betejën", tha Cvetanka Ivanova, LSDM.
Kjo shkaktoi reagimin e deputetes së VMRO-DPMNE-së, Suzana Anova.
"Nuk mundet gjithnjë të krijoni përshtypjen se ne po luajmë një farë loje dhe se në mënyrë jo-dinjitoze e kryejmë punën tonë. Ju shumë mirë e dini se seancat plenare kanë prioritet në Kuvend dhe se kur bëhet fjalë për seancë plenare atëherë komisionet amë edhe pauzojnë edhe merren vesh mes vete. Ka ndodhur shumë herë deri tani, dhe do të ndodh edhe në të ardhmen", u shpreh Suzana Anova, VMRO-DPMNE.
Pas kësaj polemike vazhdoi deputeti Talat Xhaferi, edhe kësaj radhe në formë të sllajdeve të cilat deputetët kishin në dispozicion nga dy orë për të analizuar të njëjtit.
"BDI-ja, deputetët e sajë në procedurë institucionale, parlamentare, demokratike do të bëjnë gjithçka që është në suaza të së lejueshmes që propozim ligji mos të kalojë. Unë dje vazhdova me metodën legale të pashkruar që mbi parimet juridike gjithçka që nuk është e ndaluar është e lejuar. Unë do ët vazhdoj aty ku mbetem dje, sikur që paralajmërova që sllajdet do të jenë me kohëzgjatje prej dy orë", theksoi Talat Xhaferri, BDI.
Debati rreth propozim/ligjit për Branitellat në komisionin e punës dhe politikës sociale ka filluar para tre javësh dhe i vetmi deri tani që ka diskutuar apo ka përdor forma tjera të kundërshtimit të këtij propozim/ligji është deputeti i BDI-së Talat Xhaferri. Bedri Rexhallari