Viktima e radhës nga sëmundja ethet e Nilit perëndimor është një grua 83 vjeçare, kështu njoftuan nga Klinika infektive në Shkup. Kjo është viktima e dytë e etheve të Nilit perëndimor në Maqedoni pas rastit të javës së kaluar kur vdiq një grua 55 vjeçare. Për pacienten mjekët thonë se bënë përpjekje maksimale për t'ia shpëtuar jetën, por megjithatë, ajo dje vdiq në klinikën infektive. Gjendja e vajzës dy vjeç e gjysmë që po ashtu u njoftua se është e sëmurë nga kjo sëmundje është serioze, është dërguar në klinikën e sëmundjeve infektive.
"Fëmija është ende në gjendje serioze, përkatësisht në gjendje të rëndë të përgjithshme. Po bëhen përpjekje maksimale për shërimin dhe nxjerrjen e saj nga kjo gjendje. Tani për tani nuk ka indikacione për raste të reja ose të dyshimta. Po ashtu nuk ka ardhje të pacientëve në ambulancë me simptoma të dyshimta gjatë 48 orëve të fundit", deklaroi Valeria Kirova Urosheviq, klinika e sëmundjeve infektive.
Deri më tani në Maqedoni nga ethet e Nilit perëndimor janë prekur 5 persona, dy prej të cilëve vdiqën. Fëmija dy vjeç është në gjendje të rëndë, kurse fëmija 8 vjeçe dhe burri 66 vjeç janë në fazën e para shërimit. Dje pas dite mbajti mbledhje komisioni për sëmundje ngjitëse pranë ministrisë së shëndetësisë dhe u nxor konkluza se për shkak të motit të nxehtë përsëri do të bëhet spërkatje kundër mushkonjave në tërë shtetin. Po ashtu komisioni u bëri apel qytetarëve që t'i respektojnë masat parandaluese për mbrojtjen nga pickimi i mushkonjave sikurse që janë përdorimi i mjeteve mbrojtëse për lyerje, vendosja e aparateve përkatëse për mbrojtje nga mushkonjat, vendosjen e rrjeteve në dyer dhe dritare, tharja e ujërave të mbetura në oborre, ulluqe dhe këneta. Bojana Simonoviq