Komuna e Tearcës nuk ndihet përgjegjëse për problemet me tw cilat ballafaqohen banorët e saj. Pas lajmit në ALSAT M mbi shqetësimin e banorëve të fshatit Dobrosht për ujin e pijshëm sot kreu i Komunës së Tearcës Isen Asani, ka fajësuar vetë banorët. Sipas tij, banorët nuk kanë pranuar që sistemi i ujit të pijshëm të menaxhohej nga komuna, por preferuan një pleqësi banorësh për mirëmbajtjen e rrjetit.
"Çështja është se këto vendbanime nuk janë në sistem lidhur me ujin e pijshëm. Neve rregullisht që nga viti 2010 kemi realizuar kontakte me kryetarët e bashkësive vendore të këtyre vendbanimeve që ata të futen në sistem të komunës që e menaxhojmë neve, në këtë kontekst vendbanimet që janë në sistem, problem nuk kanë. Ata janë duke kuptuar këtë problem dhe neve jemi në koordinim që në një të ardhme të afërt të vetëdijesohen dhe të futen në sistem për të mirën e të gjithë qytetarëve", deklaroi Isen Asani, kryetar i Komunës së Tearcës.
Përsa i përket protestës së të shtunës të banorëve të Tearcës, lidhur me prerjen e pakontrolluar të druve në malin e tyre, Asani ka kërkuar nga firma që ka fituar tenderin nga njësia rajonale për menaxhimin e Pyjeve të Maqedonisë, që të ndërpresë këtë aktivitet sa më shpejtë.
"Ne i përkrahim banorët, është e njerëzishme shkaku, se shkaku se prerja e druve që ndodh lart bëhet në mënyrë joracionale . Prandaj shfrytëzoj rastin që t`iu bëj apel kompanisë që ka fituar tenderin për prerje të druve , mos të vazhdojnë prerjen sepse ka revoltë nga qytetarët dhe situata mundë të dalë nga kontrolli", u shpreh Isen Asani, kryetar i Komunës së Tearcës.
Nga nesër, banorët e Tearcës kanë paralajmëruar protestë në hapësirën ku priten drutë, në mbrojtjen e malit të tyre. Alsat tentoi të vihej në kontakt me njësinë rajonale për menaxhimin e pyjeve "Leshnica", por nga atje nuk dhanë sqarime për rastin në fjalë. Bashkim Sulejmani