Me brohoritjet 'Duam shkollë', fëmijët e Shkollës Fillore 'Goce Dellçev' të Lisiçes së Epërme sot protestuan së bashku me prindërit e tyre para Komunës së Aerodromit. Për të disatën ditë me radhë, ata presin që kreu i komune Ivica Konevski t'i pranojë në bisedë por ai ishte sërish i zënë për t'i dëgjuar kërkesat e tyre. Prindërit shqiptarë të Lisiçes së Epërme u bënë apel autoritetet se duan një zgjidhje afatgjatë dhe të ndalet tallja me fatin e fëmijëve të tyre.
"Po kjo është një revoltë e madhe, këta prindër filluan të humbin edhe durimin, po e shohë disa nga ne kanë filluar edhe agresivitet të manifestojnë. Është mirë që kjo sa më shpejtë të tejkalohet kjo çështje e jonë pasi kjo nuk është mire vetëm për këtë komunë e cila vetëm kjo bënë kështu problem pasi shohim se tjerat, komuna e kanë zgjidhur disi këtë çështje edhe pse kanë më pak nxënës edhe janë në gjendje më të vështirë se sa ne që jemi, e kanë zgjidhë atë problem kurse kjo komunë nuk gjen rrugëdalje", tha Nuredin Bekteshi, prind.
"Dita ditës po rritet revolta dhe njerëzit janë tej mase të revoltuar, tash me të vërtet nuk e dijë se cili do të jetë hapi tjetër, ne do të presim përgjigje edhe prej komunës por edhe prej ministrisë, do të kërkojmë takime edhe në instanca më të larta dhe besojë që do të na jepet llogari për këtë situatë që është krijuar".
"Ne, këtë të drejtë të shkollimit e kemi pasur çdoherë dhe duhet ta kemi, le ta dinë të gjithë kombet dhe kombësitë, pa marrë parasysh të cilës fe, pa marrë parasysh cilit komb i takojnë, pa dallim ngjyre, kjo askund nuk ka ndodhur dhe as që do të bëhet. Unë jetojë mbi 60 vjet e më tepër në Lisiçe, këto paralele i kemi pasur dhe duhet t'i kemi, le të dëgjojë i gjithë populli".
"Ne u obliguam disa që të shfletojmë edhe pse nuk kemi lidhje me atë ligj, nenin 41, paragrafi 7 të Ligjit për arsim fillor i cili thotë se nga 24 deri në 35 nxënës duhet të jetë një paralele. Ne me mungesë të këtyre 6 nxënësve të klasës së parë i kemi 26 nxënës pse ajo nuk ekziston në vete paralele dhe ata 6 nxënës që janë të klasës së parë duhet mirëfillësisht t'i mësojë një mësuese e cila është profesionalisht e orientuar për mësimin e atyre nxënësve".
Prindërit shqiptar të Shkollës Fillore 'Goce Dellçev' në Lisiçe të Epërme të Komunës së Aerodromit, thonë se do të vazhdojnë protestat dhe bojkotimin e mësimit për diskriminim etnik që u bën drejtorja e kësaj shkolle dhe vetë Komuna e Aerodromit. Gjithçka filluar pasi nxënësit shqiptar të 3 klasave janë detyruar të mësojnë në një paralele me arsyetimin se numri i tyre është shumë i vogël. Por, teksa shqiptarëve u mohohet e drejta të mësojnë në paralele prej 17 nxënësve, bashkëmoshatarëve të tyre maqedonas në po të njëjtën shkollë, u lejohet të mësojnë në paralele që kanë nga 16 nxënës. Valmir Kuçi