Tetova pa energji elektrike

2015-08-21 1

Për pasojë e dëmtimit të linjës së tensionit të lartë, Tetova dhe disa fshatra kanë mbetur në terr. Linja e tensionit të lartë, e dalë nga sistemi i Shkupit, furnizon kështu mbi 200 mijë banorë. Përfaqësues të MEPSO-s u shprehën për Alsat M, se po punojnë intensivisht në riparimin e defektit, dhe së shpejti pritet që linja të zëvendësohet me tel të ri, dhe banorëve t'u rikthehet energjia elektrike.
"Po, në mëngjes rreth orës 8 e dhjetë minuta, u regjistrua një defekt në linjën e tensionit të lartë, dhe ekipet tona kanë dalë menjëherë në teren dhe kanë gjetur defektin në linjën që furnizon Tetovën me rrymë nga Shkupi. Kur dolëm në terren pamë se defekti ka ardhur si pasojë e goditjes nga rrufeja e telit, i cili gjatë përçimit të rrymës, është nxehur dhe këputur. Ekipet tona po punojnë intensivisht në eliminimin e defektit që qytetit t'i rikthehet sërish rryma", deklaroi Nikolla Stojanovski, zëdhënës i MEPSO-s.
Por edhe pse nga MEPSO shprehen se janë duke punuar me intensivisht, qytetarët nuk e kanë mbajtur dot revoltën. Ata shprehen se mungesa e energjisë elektrike u ka bllokuar aktivitetet e përditshme, pa gatim, pa telefona, pa internet etj.
"Pa rrymë, katastrofë, krejt rendi është ngatërruar s'ka bukë te shtëpia, s'ka njerëz, s'ka punë, pastaj kemi përgatitjet e dimrit nëpër hambare që mundë të na prishen, shtet i pa interesuar për qytetarët".
"Pa rrymë s'po punohet, njerëz ka por punë s'ka".
"Pa rrymë nuk bëhet asgjë, s'ka edhe popull rryma krejt i bën, sot jemi bë si në Hiroshimë kur ra bomba".
Ky është rasti i dytë që Tetova mbetet pa energji elektrike prej më shumë se 6 orësh, pas dëmtimit gjatë dimrit të linjës në afërsi të Gostivarit. Nga MEPSO shprehen se së shpejti pritet të lëshohet në përdorim edhe linjën e re dy-anëshe e Gostivarit, i cili do të mundësojë që Pollogu të mos mbetet kurrë më pa energji elektrike. Bashkim Sulejmani