Izet Mexhiti, fillon reduktimin e paraleleve

2015-08-21 5

Ndërsa kryetari i Komunës së Aerodromit Ivica Konevski shuan paralelen me mësim në gjuhën shqipe në shkollën fillore "Goce Dellçev" , homologu i tij shqiptar, kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti filloi me kombinimin e paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase në shkollat fillore të komunës së Çairit. Urdhri i parë për kombinimin e paraleleve iu drejtua shkollës fillore "Imri Elezi" ku do të kombinohen klasa e parë me klasën e tretë që bashkërisht përbëjnë numrin prej 6 nxënësish. Ndërkohë duke komentuar iniciativën e kryetarit të komunës së Aerodromit për shkurtimin e paraleles shqipe, Mexhiti tha se kjo bëhet me qëllim të spastrimit të nxënësve shqiptarë nga shkollat e Aerodromit.
"Andaj i apeloj kryetarit që të rishikojë këtë vendim...Dhe në momentin kur do të kombinohen paralelet, do të paraqitet problemi se arsimtarët do të mbesin pa vend pune siç është rasti në Aerodrom. Ne, hapin e parë e kemi ndërmarrë në shkollën "Imri Elezi", paralelja e klasës së parë është kombinuar me klasën e tretë, sepse gjithsej janë 6 nxënës dhe do të vazhdojmë edhe në shkollat e tjera të Çairit, derisa nuk rishikohet vendimi i kryetarit të Aerodromit Ivica Konevski", deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Edhe pse paralelet me mësim në maqedonisht, që prej 10 vjetësh mbaheshin hapur vetëm me nga 3 nxënës, Komuna e Çairit nuk i pati mbyllur ato. Një veprim i tillë, i nisur sot, është bërë pa dëshirë, por në shenjë revolte ndaj mbylljes së paralelelev shqipe në Aerodrom.
"Arsimi fillor është i obligueshëm dhe deri tani kemi shprehur vullnet të mirë që edhe pse paralelet që mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase nuk e kanë numrin e mjaftueshëm ne i kemi mbajt në kurriz të komunës së Çairit. Dhe këtë tani nuk e bëjmë me dëshirë por e bëjmë sepse nuk shohim tjetër mekanizëm për të parandaluar politikat e këqija, politikat nga kryetarët e komunave që e filloi Stevco Jakimovski dhe e vazhdon Ivica Konevski", theksoi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Ndërkohë nga shkolla fillore "Imri Elezi" njoftuan se prej 2 vitesh kanë dërguar kërkesë në Ministrinë e Arsimit për hapjen e paraleles së katërt për klasën e parë, por ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Aktualisht, paralelet mësojnë me më shumë se 30 nxënës.
Melihate Rustemi

Free Traffic Exchange