Analistët: 'Zgjedhjet e parakohshme, alternativë për dalje nga kriza'

2015-08-21 1

Zgjedhjet e parakohshme të organizuara nga një qeveri teknike do të ishte zgjidhja më e mirë për daljen nga kjo krizë politike në të cilën është futur Maqedonia me propozim ligjin për Branitellat. Kështu vlerësojnë analistët politik Naser Ziberi dhe Albert Musliu duke komentuar ngërçin politik në qeveri. Analistët nuk përjashtojnë si mundësi edhe tërheqjen e ligjit apo inkorporimin në të, edhe të zgjidhjes së statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së.
"Formula është padyshim kompromisi. Një nga kompromiset mund të jetë tërheqja e ligjit nga procedura parlamentare që ka gjasa të vogla të ndodhë. Kompromisi i dytë është që ky projekt të pësoj ndryshime, të tërhiqet për momentin të kthehet në qeveri ose te ata që e kanë përpilu propozimin, në këtë rast grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, të kyçet edhe partneri tjetër i koalicionit në këtë rast BDI-ja dhe ky ligj të përfshij edhe pjesën tjetër të viktimave, invalidëve të luftës dhe pjesëmarrësve në konfliktin e vitit 2001, pra pjesëtarëve të UÇK-së. Zgjidhja e tretë është, dihet, votëbesim qeverisë, shpërndarje e parlamentit, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme dhe zgjedhje të reja", tha Naser Ziberi, analist.
Ndërkohë analisti Albert Musliu shprehet se Maqedonisë i nevojitet një unitet politik rreth problemeve të integrimit dhe zgjidhjes së çështjes së emrit, dhe jo përçarje e koalicionit qeveritar.
"Zhbllokimi është që në qeveri disa sende t'i sqarojnë që të zhbllokohet puna e tyre, ose të gjejnë solucion tjetër. Solucioni tjetër është ose zgjedhje të parakohshme që për mua nuk është ndonjë zgjidhje po që se rezultatet e zgjedhjeve do të jenë të njëjta, sërish do të kemi të njëjtat parti dhe prapë do të kemi të njëjtin problem. Ose ndonjë qeveri teknike e cila do të organizoj zgjedhje tjera ose të merren vesh që problemet ti zgjedhin brenda subjekteve tyre dhe jo ti vendojnë qytetarët në situatë të pavolitshme që ne tani të ofrojmë zgjedhje për problemet të cilat partitë politike në pushtet i kanë. Do të thotë të gjitha këto janë mënyra se si mund procesi të zhbllokohet, por gjithsesi përgjegjësia e politikanëve ndaj qytetarëve duhet të ritet se nuk duhet të jemi ne tash as viktimë e as dëshmitarë po as peng i mosmarrëveshjeve të tyre", u shpreh Albert Musliu, analist.
Në vijë të njëjtë ditë më parë në emisionin 'Rruga Drejt..' u shpreh edhe kryetari i PRSD-së Tito Petkovski, sipas të cilit zgjidhja e vetme për dalje nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme, por nga një qeveri teknike. Sipas tij, qeveria aktuale e ka humbur besueshmërinë, në një pikë të pakthyeshme pas dy momenteve kyçe, nderimit të ish UÇK-së në Sllupçan dhe projekt-ligjit pasues për Branitellat. Bedri Rexhallari