Maqedonia feston 21 vjetorin e pavarësisë

2015-08-21 0

Republika e Maqedonisë sot shënon 21-vjetorin e pavarësisë. Pikërisht më 8 shtator 1991 u mbajt referendumi i pavarësisë, me ç`rast shumica e qytetarëve u deklaruan për pavarësimin e vendit nga ish-federata jugosllave ndërsa shqiptarët, si popull i dytë bojkotuan referendumin. Deputetët shqiptar nuk mbështetën as miratimin e Kushtetutës së re që u votua më 17 nëntor 1991. Vërejtjet e shqiptarëve për diskriminim në Kushtetutën e 91-shit u dëshmuan 10 vite më vonë me konfliktin e armatosur të vitit 2001 e cila mundësoi ndryshimin e Kushtetutës dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina dhe të tjera.
Më 8 prill të vitit 1993 Maqedonia u pranua si anëtare e Organizatës botërore me referencën IRJM për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë.
Maqedonia deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 168 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 132 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret e Këshillit të Sigurimit - Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.
Gjatë 21 viteve të kaluara të pavarësisë, Maqedonia kaloi shumë sfida si inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza kosovare e refugjatëve dhe konflikti i vitit 2001.
Nga viti 2005 Maqedonia vazhdon të ketë statusin vend kandidat për anëtarësim në BE dhe ende është në pritje të datës për fillimin e negociatave. Një prej pengesave kryesore në këtë drejtim është zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë. Gjyltene Rexhallari