Kryeministri Gruevski ka injoruar sot krizën në koalicionin qeveritarë duke mos dashur të komentojë zhvillimet e fundit të shkaktuara pas propozimit të projekt ligjit për 'Branitellat'. Nga kabineti i tij u shprehën të prerë se sot nuk do të komentojnë zhvillimet e fundit por do të festojnë Ditën e Pavarësisë me ç'rast do të bëjnë hapjen e disa objekteve.
Megjithatë edhe përkundër asaj se propozim ligji për 'Branitellat' hyri në procedurë parlamentare, pjesëtarët e këtij njësiti nuk mbeten të kënaqur me atë por kërkojnë edhe më tepër. Madje nga partia e Boshkovskit, projekt ligjin e cilësojnë si monedhë për kusuritje mes partnerëve të koalicionit qeveritarë.
"Jemi thellë të indinjuar nga fakti që qeveria aktuale ndjenjat e 'Branitellave', i shfrytëzon si monedha për kusuritje në marrëveshjen me partnerin e tyre qeveritarë BDI-në, kundër të cilëve këta branitella u vunë në mbrojtje të Republikës së Maqedonisë", tha Marjan Ognjanovski, nënkryetar i partisë "Të bashkuar për Maqedoninë.
Nga ana tjetër kryetari i partisë Dinjiteti, kërkon nga presidenti i shtetit dekorimin e branitellave të rënë gjatë konfliktit të 2001, invalidëve dhe atyre që kanë mbetur gjallë.
"Sot në këtë ditë të madhe për shtetin e Maqedonisë ngremë iniciativë deri te presidenti i shtetit, Gjorge Ivanovë për të tretën herë me radhë, që t'i dekorojë pjesëtarët e policisë që akoma nuk janë dekoruar, por edhe dekorimin e invalidëve të luftës dhe të branitellave të cilët kanë mbetur gjallë dhe të palënduar", u shpreh Stojanço Angelov, kryetar i 'Dinjiteti'.
Këto deklarata të Ognjanovskit dhe Angelovit vijnë në kohën kur në parlament po zhvillohet një debat i ashpër pro dhe kundër miratimit të ligjit për branitellat të propozuar nga VMRO-DPMNE dhe të kundërshtuar ashpër nga BDI. Bedri Rexhallari