Adem Jashari nga sot iu bashkëngjit Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Jashar Bej Shkupit dhe Imri Elezit. Kjo pasi që Shkolla fillore '7 marsi', me vendim të këshillit të kësaj shkolle tani e tutje do të quhet 'Adem Jashari'. Bëhet fjalë për një vendim të miratuar që në vitin 2004 nga këshilli i atëhershëm, por që nuk është vënë në funksion deri më sot e kësaj dite nën pretekstin për të mos shkaktuar ndonjë provokim.
"Iniciativa është marrë që në vitin 2004, atëherë ka qenë këshilli prej anëtarëve tjerë të kolektivit dhe anëtarët e jashtëm, ata kanë sjellë vendim. Mirëpo nuk e kanë ngritur iniciativë që atëherë duke menduar se mos do të nxjerrin ndonjë provokim. Mirëpo me vendimin e Komunës që katër shkolla të ndërrohen emrat e tyre në bazë ligjore, për arsye se me decentralizim shkollat fillore u përkasin komunave, çdo gjë ka shkuar sipas ligjit, sipas rregullave, është bë kërkesa deri në ministri. Zoti ministri Kralevi ka refuzua, duke thënë se ne kemi thye ligjin, përkundrazi ligjin e shkelë Ministra e Arsimit", deklaroi Halit Palloshi, drejtor i shkollës.
Palloshi deklaroi për Alsat se tabela me mbishkrimin e ri do të vendoset më së voni deri më 28 nëntor kur shënohet Dita e flamurit kombëtarë por njëherit kjo datë shënon edhe ditëlindjen e Adem Jasharit.
"Ne kemi bë kërkesë deri në këshillin komunalë, do të presim të kalojë në të gjitha instancat, data e fundit do të jetë 28 nëntori dita e flamurit, njëkohësisht edhe ditëlindja e Adem Jasharit. Unë besoj se gjaku i dëshmorëve nuk shuhet me gjoba. Ne do ta vazhdojmë rrugën tonë, jemi të gatshëm. Unë personalisht gjobën si drejtorë do ta paguaj, a me ndrua mendim nuk e kam ndërmend. Shumë emër i madh,Adem Jashari, simbol i lirisë i sakrificës, na mësoj gjithë neve, u bë simbol për gjithë rininë se si njeriu duhet të sakrifikoj për kombin e vetë për lirinë", u shpreh Halit Palloshi, drejtor i shkollës.
Ndryshe për sa u përket katër shkollave të lartpërmendura emrat e të cilave janë ndërruar që nga 16 janari i këtij viti, sipas Ministrisë së Arsimit në rrjedhë e sipër është afati i dhënë për largimin e tablove me mbishkrimet e reja, në të kundërtën, ministri Kralev deri më tani disa herë është kërcënuar se do të pasojnë gjoba. Bedri Rexhallari