Tetovë, përcillet për në banesën e fundit Arbër Xhaferi

2015-08-21 6

Mijëra qytetarë përcollën për në banesën e fundit, të ndjerin Arbën Xhaferi, një nga figurat më të larta politike në vend. Në kortezhin që përcillte arkivolin, pas familjes së ngushtë pasonin figura të larta politike, personalitete nga fusha të ndryshme si dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Kortezhi nisi nga selia e PDSH-së, partisë ku Xhaferi dha kontributin deri në minutat e fundit të jetës.
Më pas, kortezhi kaloi përmes sheshit kryesor, duke u mbushur në radhët e tij, gjithnjë e më shumë nga qytetarë që e nderonin dhe i bashkëngjiteshin karvanit të gjatë të njerëzve. Ish kryetari i PDSH-së Xhaferi u varros sipas të riteve fetare.
Një fjalim final mbajti edhe publicisti Faik Mustafa, një nga miqtë më të ngushtë të të ndjerit.
"Vështirë qenka të pajtohesh se në mesin tonë nuk gjendet më i madhi Arbën Xhaferi, i cili shkriu atomin e fundit të energjisë për të qenë në shërbim të përparimit të çështjes kombëtare, të vërtetës, njerëzores. Ishte një njeri i durueshëm e fjalë-pak, madje edhe kur e sulmonin pa të drejtë ai e ruante buzëqeshjes, e ruante durimin. Me vetëdije ishte vënë në rolin e njeriut shpesh në dëm të tij për të shëruar plagët e shkaktuara nga armiqtë tanë në mënyrën më mjeshtërore. Fjalën që e thoshte e bluante mirë, kur delte nga goja e tij këmbëngulte ta jetësonte, para të vërtetës thonë përkulen edhe perënditë..... Arbën Xhaferi ishte dhe mbetet krenaria e kombit, krenari është kjo që nuk do t'i nënshtrohet kurrë ndryshkut të kohës", deklaroi Faik Mustafa, publicist.
Pas ceremonisë, kortezhi u shpërnda në mënyrë të qetë, ndërkohë që familjarët si dhe krerët e lartë të partisë, edhe në ditët në vijim do t'i mbajnë dyert e hapura për ata që do të shprehin ngushëllimet. Semra Jakupi