Milaim Fetai pothuajse 2 vjet e gjysmë është duke ushtruar postin e anëtarit të Këshillit për Radio Difuzion (KRD) në mënyrë të paligjshme. Është anëtari i vetëm aktual i KRD-së nga 15 sa numëron ky institucion, i cili në këtë pozitë është për herë të dytë edhe pse një gjë e këtillë nuk lejohet me ligjin për veprimtari radiodifuzive. Fetai ishte anëtar i KRD-së në fillim të themelimit të këtij institucioni nga viti 1997 deri në vitin 2003 dhe ushtronte postin e nënkryetarit të KRD-së. Por në maj të vitit 2010 me propozim të partisë në pushtet ai edhe një herë rizgjidhet anëtar i këtij institucioni edhe pse ligjin nuk e lejon një gjë të këtillë. Në nenin 28 të ligjit për veprimtari radiodifuzive i cili flet për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KRD-së mes tjerash thuhet:
"Anëtarët e Këshillit për Radiodifuzion nuk kanë të drejtë të rizgjidhen edhe një herë në këtë post"
Këtë shkelje të qëllimshme apo paqëllim të ligjit nga ana e mazhorancës nuk e kishin vërejtur as deputetët e opozitës . Sipas stenogrameve të seancës parlamentare në të cilën Fetai është rizgjedhur për anëtarë të KRD-së më 10 maj të vitit 2010 rezulton se nuk është zhvilluar debat dhe pro zgjedhjes së tij kanë votuar të gjithë 62 deputetët e pranishëm, që të gjithë të mazhorancës. Në vazhdim ua sjellim stenogramin e seancës së 104 të parlamentit:
"I ftoj deputetët të cilët dëshirojnë të debatojnë të paraqiten për të marrë fjalën.
Pasi që askush nuk është paraqitur , konstatoj se debati I përgjithshëm ka përfunduar. Propozimin Milaim Fetai të zgjidhet për anëtar të KRD-së e ve në votim. Ju bëj thirrje të votoni. Gjithsej votuan 62 deputet. Nga këta për propozimin votuan 62 deputet, nuk ka të përmbajtur, nuk ka kundër. Konstatoj se Milaim Fetai zgjidhet për anëtar të KRD-së".
Këto ishin fjalët e kryeparlamentarit Trajko Veljanovskit i cili bashkë me 61 deputetët tjerë që votuan Fetain për anëtar të KRD-së në 2010 lejuan që institucioni më i lartë ligjdhënës të shkel mbi ligjet të cilat ai vetë i miraton. Edhe ish kryetari i KRD-së Zoran Stefanovski për ALSAT M konfirmoi këtë se Fetai është rizgjedhur në këtë post për herë të dytë edhe pse ligji nuk e lejon një gjë të këtillë. Ai madje shtoi se tani është duke u punuar në përpilimin e ndryshimeve të ligjit për veprimtari radiodifuzive dhe nuk përjashtoi mundësinë që të intervenohet edhe në kufizimin e mandateve të anëtarëve të KRD-së. Shkëlzen Aqifi