Zjarri në afërsinë e fshatrave Presnicë dhe Gllazhnje të komunës së Likovës akoma vazhdon të jetë aktiv por nuk përbën rrezik për banorët lokal pasi i njëjti është vënë nën kontroll. Kështu shprehet zëdhënësi i Qendrës për menaxhim me kriza, Fitim Lloga. Ai gjithashtu thotë se zjarre aktive ka edhe afër fshatrave të Tetovës, gjegjësisht Kopanicë dhe Tudencë si dhe në fshatin Siriçinë, Erebinë dhe Rotincë të komunës së Jegunocit, i cili gjatë orëve të fundit është zgjeruar në drejtim të fshatit Radushë të Shkupit.
"Vende që paraqiten si më kritike janë rrethina e Komunës së Jegunocit, gjegjësisht në fshatin Kopanicë zjarri i cili dje e përfshiu këtë pjesë vazhdon edhe sot ët jetë aktivë edhe pse në momentin që po flasim kanë filluar avionët e Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim të veprojnë në atë pjesë atje që të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve pasi terreni është shumë i vështirë për të intervenuar nëpërmjet tokës. Zjarri që dje kishte kapluar fshatin Radushë, ai u lokalizua dhe është nën kontroll dhe rreziku i vetëm është ai që mund të përhapet zjarri nga fshati Kopanicë për në Bojanë, gjë që zjarri po vihet nën kontroll dhe shpresojmë që sot të arrihet që nga ana ajrore të arrihet edhe lokalizimi i kësaj vatre të zjarrit", deklaroi Fitim Lloga, zëdhënës i QMK-së.
Gjatë orëve të vona të natës së djeshme zjarri u zgjerua edhe në drejtim të fshatit Cerovë, komuna e Zhelinës dhe iu afrua në distancë prej një kilometër shtëpive të këtij fshati. Zjarri që shpërtheu në afërsi të fshatit Kopanicë duket të ketë intensitet të zvogëluar, ndërsa akoma është aktiv ai në fshatrat Cerovë dhe Bojanë. Nga QMK-ja informojnë gjithashtu se është vënë nën kontroll zjarri në Komunën e Çuçer Sandevës, tek lokaliteti i quajtur Biljakovo të fshatit Tanushë, ndërsa është lokalizuar zjarri në fshatin Radushë, komuna e Sarajit. Kurse për momentin ekipet zjarrfikëse po tentojnë të lokalizojnë zjarrin që shpërtheu për të dytën herë sot afër fshatit Kuçkovë të komunës së Gjorçe Petrovit. Mësohet se në terren gjenden ekipe të QMK-së dhe Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim me qëllim kontrollin dhe parandalimin e situatave të riaktivizimit të zjarreve. Valmir Kuçi