Shtatori mund te sjellë riformatimin e kabinetit Gruevski për shkak të aspiratave apo vendimit të partisë shqiptare në pushtet BDI që në garën për kryetar komunë të kandidojë pothuajse të gjithë ministrat e saj. Nëse realizohen paralajmërimet që vijnë nga BDI nga 6 ministrat përfshirë këtu edhe zv/ kryeministrin për euro-integrime në muajt në vijim do të ketë emërime të 4 ministrave të rinj nga radhët e partisë së Ahmetit. Përveç Musa Xhaferit, Abdylaqim Ademit dhe Fatmir Besimit të gjithë ministrat tjerë të BDI-së si duket do të futen në garën për kryetar komunash .
Teuta Arifi tanimë jo-zyrtarisht ka paralajmëruar se e sheh si sfidë kandidimin e saj për kryetar të Tetovës. Nevzat Bejta dëshiron ta sfidojë edhe një herë Rufi Osmanin në Gostivar. Në krye të komunës së Sarajit si duket do të kthehet ministri aktual I drejtësisë Blerim Bexheti. Ndërsa emri i ministrit të ekonomisë Valon Saraçini lakohet si kandidat më I mundshëm I BDI-së për kryetar të Shkupit.
Megjithatë nga BDI-së zyrtarisht thonë se ende nuk kanë marrë një vendim për kandidaturat e tyre, këtë e pohoi edhe zëdhënësi Bujar Osmani. Sipas Osmanit në BDI ky proces pritet të filloj gjatë muajit të ardhshëm dhe të përfundoj kah nëntori, kur edhe do të publikohen emrat e kandidatëve për kryetarë komunash.
"Çdo propozim ose çdo kandidaturë duhet të kalon nëpër organet e partisë dhe në bazë të vlerësimeve, analizave dhe sondazheve pastaj partia cakton se cili do të jetë kandidati për atë komunë konkrete. Besoj se procesi do të përfundoj diku ka muaji nëntor, kurse do të filloj prej muajit të ardhshëm, thash se është një proces me përgjegjësi , proces statusorë, i përcaktuar saktë me procedura precize, duhet të kaloj nëpër disa instanca të organeve të partisë, bëhen vlerësime, sondazhe dhe besoj diku kah muaji nëntor do të përfundoj ky proces dhe do të dalim zyrtarisht me emra konkret se cilët do të jenë kandidatët, natyrisht edhe kryetarët e ardhshëm të komunave", deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Burime brenda partisë shqiptare në pushtet nuk përjashtojnë as mundësinë e ndërrimit të ndonjë nga dikasteret që drejtojnë kuadro të saj pas kandidimit të ministrave aktual për kryetar komune në zgjedhjet lokale. Partia e Ahmetit tanimë më mendon t'ia dorëzojë Drejtësinë VMRO DPMNE-së ndërsa të marrë nën drejtim të saj Ministrinë e Transportit. Bedri Rexhallari