Zllatku dhe Shehu: 'Nuk jemi spiunë, jemi viktima'

2015-08-21 26

Rexhep Zllatku dhe Shaban Shehu përmes komunikatave kundërshtojnë vendimin e komisionit për lustrim i cili i shpalli ata bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete në sistemet e kaluara. Në letrat e tyre ata pohojnë se kanë qenë viktima dhe të përndjekur të regjimit e jo bashkëpunëtor.
"Ne nëntor-dhjetor të vitit 1959, si student i vitit të dytë, isha në burg, i akuzuar politikisht, i keqtrajtuar në mënyrë fizike dhe psikike. Familja ime ka qenë e përndjekur vite me radhë, duke filluar nga vëllai im i madh që ishte i dënuar me shumë vjet burg si përgjegjës i NDSH-së për rrethin e Dibrës. Unë mbes me bindjen e plotë se kam qenë viktimë dhe i përndjekur i regjimit. Për kontributin tim në afirmimin e çështjes shqiptare le të vlerësojnë të tjerët. Për fat të keq, procesi i lustrimit tregon që shqiptarët vazhdojnë edhe më tej të jenë viktima politike në këto troje", thuhet në deklaratën me shkrim të gazetarit dhe ish-ministrit të informatave, Rexhep Zllatkut.
Edhe Shaban Shehu përmes letrës thekson se vendimi i komisionit është tendencioz pasi në dokumentet e publikuara shihet qartë se ka qenë i përndjekur dhe i shpallur për kundërshtar politik i sistemit të atëhershëm dhe si një nga ideologët kryesor të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar.
"Habit fakti që Komisioni për verifikimin e fakteve edhe përskaj dokumenteve ekzistuese të shpallura në internet faqen e tyre, prej të cilave shihet qartë se unë vazhdimisht kam qenë i ndjekur dhe i shpallur për kundërshtar politik të sistemit të atëhershëm, më shpall si bashkëpunëtor të shërbimeve të sigurimit për periudhën 1958 e deri më 1966. Bazuar në faktet dhe argumentet ekzistuese si dhe në interes të së vërtetës kategorikisht e mohoj shpalljen e Komisionit për verifikimin e fakteve që unë kam qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të ish sigurimit, e as që kam pranuar apo nënshkruar pëlqim për bashkëpunëtor, por për kundër unë vazhdimisht kam qenë i ndjekur dhe i shpallur nga ata si kundërshtar ideologjik dhe politik i regjimit të atëhershëm totalitar", shkruan në letër Shaban Shehu duke shtuar se asnjëherë nuk ka pranuar ose nënshkruar pëlqim për bashkëpunëtor.
Ndryshe për Rexhep Zllatkun, komisioni për lustrim përveç emrit të tij nuk ka publikuar asnjë dokument tjetër siç ka ndodhur me rastet e tjera përfshirë edhe atë të Shaban Shehut për të cilin përveç vendimit janë publikuar edhe 33 dokumente përcjellëse. Ndërkohë komisioni dje ka shpallur edhe dy bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete për dy funksionar aktual, emrat e të cilëve pritet të publikohen të premten në ueb faqen e komisionit për lustrim. Deri më tani Komisioni ka shpallur 25 persona si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete. Gjyltene Rexhallari

Free Traffic Exchange