Gjysma e fshatit Çerkez të Kumanovës tani dy javë nuk kanë ujë për pije. Banorët thonë se është vështirë që në këto ditë të nxehta të përballen edhe me këtë problem. Puset e shtëpive janë zgjidhja e vetme për këtë problem. Njëri nga banorët e Çerkezit nuk përjashton mundësinë që shkak për këtë problem të jetë edhe mos pagesa e rregullt e faturave.
"Që 5 ditë s'ka fare ujë, më parë e lëshonin natën, por tani s'ka fare as natën e as ditën. Në këto 5 ditët e fundit jo, s'ka fare. Pa ra shi, ujë nuk do të ketë. Po thonë me ujitë fushën apo me lëshua ujin këndej, nuk po di tani. Disa paguajnë e disa jo. Ndoshta edhe kjo është arsyeja", u shpreh një banorë i Çerkezit.
"Ujë që tre javë, mos më tepër nuk ka ja...duhet me mbushë ujë prej pusit me kofa. Faturat i paguajmë nuk është problem. Edhe jo vetëm te na, por i gjithën Çerkezi nuk ka. Shyqyr zotit e kemi pusin se ndryshe ujë nuk ka", u shpreh një tjetër banor i fshatit Çerkez.
Nga ndërmarrja Publike Vodovod në Kumsnovë në linjë telefonike për ALSAT M thonë se bëhet fjalë për disa defekte të vogla, për të cilat ekipet e tyre janë duke punuar intensivisht në terren dhe shumë shpejt do të zgjidhet edhe problemi për ujë të pijshëm për banorët e fshatit Çerkez. Por gjithashtu nga ndërmarrja thonë se fshati i ka barxh ndërmarrjes 30 milionë denarë apo rreth 80 për qinda e banorëve nuk paguajnë faturat e ujit. Shkëlzen Aqifi