"Maqedonia është në rrugën e integrimeve, edhe pse e gjatë dhe plotë sfida. Ne do t'ia dalim ashtu siç ia dolën edhe kryengritësit e Ilindenit dhe luftëtarët e Luftës Çlirimtare të Maqedonisë". Kështu deklaroi Kryeministri Gruevski, në 109 vjetorin e Kryengritjes së Ilindenit. "Vazhdojmë të luftojmë për të drejtën e emrit tonë kushtetues, identitetin dhe për një jetë me dinjitet. Duhet të mbetemi të angazhuar dhe të bashkuar, për aspiratat euro-atlantike të cilat janë synimi ynë strategjik.
"Pengesat e rrugës së integrimeve nuk janë të pakalueshme por patjetër duhet të jenë në frymën e drejtësisë, barazisë dhe lirisë, rezultat i vendimmarrjes së mençur dhe realizimit të zgjidhjeve afatgjate dhe të pranuara nga populli. Tejkalimi i sfidave është prioriteti ynë, dëshmon iniciativën tonë dhe qëllimin për përparimin e dialogut, marrëdhëniet e mira fqinjësore, zhvillimin rajonal", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Gruevski theksoi se Qeveria e tij mbetet e përkushtuar, edhe pse ndonjëherë, gjatë rrugës së euro-integrimeve, janë vërejtur ngadalësime.
"Ndoshta ecim ngadalë ndonjëherë, por ama të sigurt dhe në dobi të qytetarëve... që të mbajmë fjalën e dhënë, të përmbushim premtimet, të mbetemi të afërt me qytetarët, me qëllim që sukseset të jenë të përbashkëta. Nuk premtojmë mrekulli dhe asnjëherë nuk i kemi premtuar. Zgjidhim probleme konkrete. Më mirë është të zgjidhësh një problem për të cilin ke premtuar se do ta zgjidhësh, se sa të premtosh 100 dhe mos të zgjidhësh asnjë. Pikësynimet e reja janë vendosur dhe ato do të sjellin edhe zhvillim të ri. Maqedonia edhe në të ardhmen do të vazhdojë të ecë përpara", u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.
Delegacioni i Qeverisë i kryesuar nga Gruevski vendosi kurora lulesh pranë përmendores së Këshilli Anti-Fashisht për Çlirimin e Maqedonisë, në parkun "Zhena Borec", pranë përmendores së Nikolla Karevit dhe pranë përmendores së Metodija Andonov Çento, kryetarit të parë të Presidiumit të KAÇKM-së, në qendër të Shkupit. Gjatë këtij ceremoniali të pranishëm ishin përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, BDI-së, LSDM-së, partive të tjera më të vogla përveç përfaqësuesve të PDSH-së. Valmir Kuçi