Nga 3 gushti, lëvizja nëpër male e pyje e qytetarëve do të ndalohet rreptësisht. Ky moratorium do të vlejë deri në një vendim të ri nga Qeveria, ndërkohë që për shkelësit e saj, parashikohen dënime të larta. Moratoriumi i miratuar në koordinim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, u bë i ditur nga zëdhënësi i Qeverisë Aleksandar Gjorgjiev."Qeveria informon se nga 3 gushti i këtij viti hyn në fuqi ndalesa për hyrje dhe lëvizje nëpër male, dhe ka të bëjë për të gjithë personat fizikë. Shkelja e kësaj ndalese do të sanksionohet në mënyrë rigoroze. Një gjë e tillë është marrë me qëllimin e sigurimit të kushteve për mos cenimin e sipërfaqeve pyjore. Sipas të dhënave të fundit në Maqedoni, nuk ekziston ndonjë kërcënim i madh nga prania e zjarreve dhe gjatë ditës së sotme është vërejtur vetëm një zjarr i përmasave të vogla por i lokalizuar në afërsi të Prilepit", tha Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë. Gjorgjiev gjithashtu tha se Qeveria ka siguruar 10 milionë denarë për mbulimin e shpenzimeve të deritanishme për shuarjen e zjarreve, për pjesë rezervë dhe kontroll të aeroplanëve zjarrfikës si dhe shpenzimeve telefonike. Qeveria vendosi që nga rezervat e detyrueshme të naftës për shuarjen e zjarreve, të japë 28 000 litra benzinë dhe 200 litra dizel. Valmir Kuçi