Pritet fillimi i ndërtimit të pikës së benzinës, e investitorit Isni Sinani, investim ky i penguar prej vitesh nga kreu i komunës së Çuçer Sandevës Jovan Pejkovski. Investitori po vazhdon punimet e ndërtimit, pasi gjykata vendosi në favor të tij dhe shfuqizoi ndalesën e Komunës. Megjithëse ligji dhe drejtësia janë në anën e tij, Sinani thotë se nuk është çudi që të ketë sërish probleme me kreun e komunës së Çuçër Sandevës. "Shifet dhe dihet se më në fund unë nuk kam çka të bëjë përpos që ta vazhdoj punën. Shteti e din dhe e ka pa se dokumentet janë në rregull, kurse në këtë shtet kërkohen investitor, neve na u ka dhënë mundësia me investua. Të më ndalon mua ndokush vetëm pse i ka rënë në mend, mendoj se nuk është në rregull. Kam me vazhduar këto ditë me punimet, se unë kam filluar në kohë me punimet", tha Isni Sinani, investitor. Sipas avokatëve, Sinani është i pastër para ligjit, duke i ndjekur në mënyrë korrekte aktet ligjore. Për ta është e pakuptueshme se si kryetari Pejkovski vepron në kundërshtim me rekomandimet e ministrit Mile Janakievski dhe aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Administrative, duke e anashkaluar hierarkinë ligjore. "Dokumentacioni i përgjithshëm që ka Isni Sinani është përgatitur në pajtim me ligjin. Kur them Ligjin mendoj Ligjin për ndërtim, i cili është i vlefshëm në momentin që është miratuar leja e ndërtimit dhe Ligjit për procedurë administrative të cilin kryetari i komunës dhe shërbimet e tij janë të detyruara ta respektojnë. Nuk ka asnjë dokument që mungon, dhe nga kjo nxjerrim përfundimin se nuk janë të qarta arsyet për vonesën dhe sjelljen e vendimit për anulimin e lejes për ndërtim", tha Vencislav Gushev, avokat. Për shkak të veprimeve të Pejkovskit, Sinani pati ngritur padi penale në Prokurori për konflikt interesash dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Padia ishte pranuar nga Prokuroria që nënkupton se kishte prova që Pejkovski të ndiqej penalisht, por procedura gjyqësore do të fillonte pasi prokuroria të kompletonte dokumentacionin, sepse priste përgjigje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. "Procedura në Prokurorinë Publike është në vijim e sipër. Çështja po punohet, kryhen analiza në pajtim me Ligjin për Procedurë Penale. Nuk është e kuptueshme pse Jovan Pejkovski vazhdon të zbatojë të drejtën dhe veprimet e tij të paligjshme, dhe t'i ngrejë ato në nivelin e legjitimitetit", tha Vencislav Gushev, avokat. Për rastin që zgjaste prej vitesh, ishte informuar edhe Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, ministri Mile Janakievski dhe personalisht u interesua edhe Ministri për Vetqeverisje Lokale Nevzat Bejta, i cili pas takimit mbeti në anën e Pejkovskit. Verica Pavllovska