'Një vit në pushtet por pa pushtet'. Kështu e ka karakterizuar PDSH-ja, 1 vit qeverisjeje të BDI-së e cila sipas tyre u ka sjellë shqiptarëve vetëm varfëri, arrestime dhe ligje të cunguara. Imer Aliu ka akuzuar më tej kreun e BDI-së Ahmetin, se iu dashka edhe një mandat për të zgjidhur çështjen e gjuhës shqipe apo të flamurit. Në qendër të akuzave ishte operacioni policor Monstrum, për të cilin ende nuk ka një lidhje të të dënuarve me vrasjen e pesëfishtë të Smillkovcit.
"Qeveria inskenoi aksionin famëkeq policor të quajtur 'monstër', që e keqja të mos ngel me kaq, këta të arrestuar u shpallën fajtor për radikalizëm islamik dhe terrorizëm në të njëjtën ditë nga ana e Jankullovskës dhe zëvendësit Xhelal Bajrami. Sot tre muaj pas aksionit, opinionit nuk i është prezantuar asnjë fakt që lidhet me terrorizëm apo radikalizëm islamik. Nga viti 2008 Ali Ahmeti tha se gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare dhe pas katër viteve shqiptarëve iu desh të dëgjojnë se si i njëjti Ali Ahmeti, 3 vite para përfundimit të mandatit kërkoi edhe një mandate që ta zgjidh këtë çështje. Këtë vit pamë se si rrihen nxënësit shqiptarë në autobus dhe shkolla, dhe askush nuk u dënua për këtë, pamë se si tifoz maqedonas të financuar nga qeveria ulërinin parulla antishqiptare nëpër ndeshje sportive", tha Imer Aliu, deputet i PDSH-së.
PDSH theksoi se viti i qeverisjes së BDI-së u karakterizua edhe me rrahjet e nxënësve shqiptarë, investime vetëm në pjesët e banuara me maqedonas, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të mbeten të përbuzur, pa shërbimet elementare për jetën.
"Shqiptarët dhe vendbanimet shqiptare po përballen me mungesa elementare si uji për pije, rrugë, shkolla, spitale, kurse maqedonasit investojnë qindra miliona euro në ngritjen e kultit të historisë dhe identitetit kontestues. Pamë se si nga buxheti u ndanë 5000 euro për 100 vjetorin e shtetit shqiptar që më pas iu shndërruan në zero denarë, e në anën tjetër pamë se si u ndanë 50 000 euro për sfeti Savën, pamë se si flamuri shqiptar në mënyrë nënçmuese me ligj duhet të jetë 3 herë më i vogël se ai maqedonas", u shpreh Imer Aliu, deputet I PDSH-së.
Imer Aliu i PDSH-së akuzoi në fund se BDI-ja, në këtë vit qeverisjeje, i ka çuar shqiptarët si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga ai i të drejtave, 20 vite mbrapa. Bashkim Sulejmani