Konkursi për polic, arrestohet personi që mashtroi kandidatët

2015-08-21 1

Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar një 27 vjeçar me inicialet B.M nga Haraçina për shkak të dyshimit se ka mashtruar 6 të rinj nga Kumanova se do të pranohen në konkursin e fundit për policë. Sipas zëdhënësit, Ivo Kotevski, bëhet fjalë për një ish të punësuar në MPB i cili për shkak të padive penale dhe proceseve gjyqësore është larguar nga puna. Kotevski shtoi se i dyshuari B.M duke u prezantuar si i punësuar i lartë në MPB u ka premtuar kandidatëve se do të pranohen në konkurs edhe nëse nuk kalojnë kontrollet dhe testimet e parapara.

"Në të shumtën e rasteve, prej më parë nga ana e të dyshuarit janë kërkuar nga 500 euro dhe 100 euro për çdo muaj, 5 vite me radhë prej momentit kur do të punësohen. Në disa raste edhe u ka premtuar se do t'ju sigurojë diplomë për mbarimin e shkollës së mesme. Ekzistojnë njohuri se përveç këtyre 6 personave të cilët janë evidentuar si të dëmtuar ekzistojnë edhe 10 të tjerë të cilët duhet të vijnë ta paraqesin rastin dhe të dëshmojnë se janë dëmtuar nga personi në fjalë", ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski.

Kotevski madje ka shtuar se numri i të dëmtuarve është disa herë më i madh për shkak se i dyshuari ka mashtruar edhe shumë të tjerë duke u premtuar se do ti punësojë edhe në institucionet tjera shtetërore. Sa i përket konkursit për policë, Kotevski tha se gjatë ditës së djeshme ka përfunduar pjesa me shkrim e testimit, të cilin 750 kandidatë e kanë kaluar ndërsa 228 janë eliminuar. Fazën e parë të konkurrimit e kishin kaluara 1055 kandidatë prej tyre 876 meshkuj dhe 179 femra. Në kuadër të numrit prej 1055 kandidatëve për polic, shqiptar ishin vetëm 92, e cila llogaritur në përqindje nënkupton shifrën prej më pak se 9 për qind. Nga MPB-ja nuk japin të dhëna rreth përkatësisë etnike të kandidatëve që kanë kaluar testimin me shkrim. Melihate Rustemi

Free Traffic Exchange