Kosova heq taksën doganore për çimenton e Maqedonisë

2015-08-21 1

Ministria kosovare e Tregtisë dhe Industrisë ka anuluar vendimin për rritjen e taksës doganore për importin e çimentos prej 35%. Ky vendim pati shkaktuar reagime të shumta jo vetëm në Kosovë, por mbi të gjitha në Maqedoni, duke e detyruar Qeverinë e Shkupit, të vendoste si kundërpërgjigje, taksa doganore në masën 40 % për ujin e ambalazhuar si dhe 15 % për gypat e salduar që vinin nga Kosova. Me shfuqizimin e vendimit të Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë, për çimenton, më datën 1 gusht, pritet që edhe Maqedonia, automatikisht të heq doganën për mallrat dhe shërbimet nga Kosova. Anulimi i vendimit nga Kosova u firmos nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila.
"Arsyet që kanë shtyrë në çrregullimin e tregut të çimentos kanë të bëjnë me fluksin e çimentos së lirë nga Italia, e cila megjithë taksën ka vazhduar të importohet në Kosovë, por edhe me vështirësitë në procesin e prodhimit në Kosovë të lidhura me qasjen e lëndës të parë, përditësimin e teknologjisë prodhuese dhe kushtet e përgjithshme fiskale në Kosovë", theksohet në komunikatën e Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë
Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini tha se Kosova ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s. Megjithatë, ai nuk pret të shfaqen probleme në zhvillimin ekonomik mes dy shteteve. Sipas tij Maqedonia do t'i heqë doganat për mallrat kosovare kur pala kosovare të zbatojë konkretisht vendimin.
"Vullneti i mirë i palës kosovare dhe presioni jonë që kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet e mira ekonomike që kemi mes dy vendeve si duket ka rezultuar pozitivisht. Dhe në këtë mënyrë menjëherë pasi të hyjë në fuqi vendimi i ri Qeveria jonë menjëherë do të ndërpresë vendimin të cilin e kemi sjellur dje", deklaroi Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë.
Maqedonia eksporton çimento me vlerë prej 24 milion eurosh në Kosovë, ndërsa tek ne importohet ujë nga Kosova me vlerë prej 1,7 milion euro dhe gypa të salduar, me vlerë prej 2 milion euro. Nevzat Mamuti

Free Traffic Exchange