Pas protestave dhe kërkesave të shumta të banorëve të Haraçinës dy vite më parë për rregullimin e kanalit të hapur në këtë fshat, më në fund Qeveria me propozim të ministrisë së ekologjisë ka miratuar vendimin për ndarjen e 89 milionë denarëve për zgjidhjen e këtij problem ndërsa shpallja për zgjedhjen e firmës punuese pritet të publikohet ditëve në vijim.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Muhamet Hoxha, në bazë të ligjit për furnizime publike, nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë ofertat do të hapen në fund të muajit Gusht, kurse nënshkrimi i Marrëveshjes me firmën fituese dhe fillimi i punimeve mund të bëhet në fund të muajit shtator të këtij viti.
"Vlera projektuese është 89 milion denar ose rreth 1,5 milion euro, mjete të siguruara në buxhetin e Ministrisë së ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor. Gjithashtu dua të Ju informojë që përgatitja e gjithë dokumentacionit të nevojshëm është bërë nga kjo ministri. Me realizimin e këtij projekti kapital për Haraçinën do të kontribuohet në mënyrë të drejtpërdrejt në rregullimin e infrastrukturës, parandalimin e përcjelljes së sëmundjeve të ndryshme, në mbrojtjen e ambientit jetësor si dhe në rregullimin e hapësirës para shkollës fillore", deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Hoxha tha se realizimi i projektit në fjalë u bë i mundur pas realizmit të rrjetit të kanalizimit në Hasanbeg që ishte edhe ndotësi kryesor i kanalit të hapur në Haraçinë. Rregullimi i kanalit të hapur në Haraçinë ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të Haraçinës, por edhe shkollës fillore, sepse i njëjti për shkak të ujërave të ndotur paraqet rrezik potencial për bartjen e infeksioneve të ndryshme për banorët, sidomos për nxënësit. Melihate Rustemi