Regjistrohet viktima e parë nga zjarret që përfshinë Strumicën

2015-08-21 1

Sjellja e pandërgjegjshme e njerëzve dhe mosrespektimi i ndalesës për ndezjen e zjarreve në natyrë, duket se janë shkaqet e zjarrit të madh në Strumicë, nga i cili një punonjës i ndërmarrjen pyjore të këtij qyteti humbi jetën, ndërsa një punonjës tjetër dhe një vullnetar po luftojnë për jetën. Ata kishin pësuar djegie të rënda gjatë përpjekjeve të mbrëmshme për të shuar zjarrin e tërbuar në rrethinën e Strumicës. Së bashku me dy bashkëqytetarë të tyre, tre personat me djegie të shkallës së rëndë u sollën në repartin kirurgjikal të Spitalit të Qytetit në Shkup, ndërkohë që njëri prej tyre, 50 vjeçari me inicialet B.S vdiq këtë pasdite. Gjendja e dy të tjerëve, njëri prej të cilëve është vëllai i viktimës së sotme, mbetet jashtëzakonisht kritike.
"Edhe krahas masave të ndërmarra, ata mbeten në gjendje jashtëzakonisht të vështirë dhe luftojnë për jetën", deklaroi Jasmina Çhabukovska, drejtoresh e Klinikës për sëmundje kirurgjikale "Shën Naumi i Ohrit".
Ndërkohë në spital është edhe djaloshi 15 vjeçar që mori djegie të shkallës së dytë, por që aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Në spitalin e Strumicës janë shtruar 10 pacientë me djegie, prej të cilëve 7 fëmijë dhe tre të rritur. Ata janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Zjarri, i cili shpërtheu dje në mesditë në lokalitetin Çamçiflik, përfshiu rreth 100 hektarë pyll me pisha. Për shkak të erës së fuqishme, ai u zgjerua me shpejtësi, por u shua falë shiut që ra dje në mbrëmje. Për shkak të stuhisë së paralajmëruar nuk pati mundësi që të ndërhyhej nga ajri. Në aktivitete ishin përfshirë edhe një numër i madh vullnetarësh nga Strumica. Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, tani në territorin e Maqedonisë nuk ka zjarre të rinj aktivë. Petar Bllazhevski

Free Traffic Exchange