Qeveria ka ndryshuar Ligjin për Automjete, duke vendosur risi të caktuara, në mesin e të cilave edhe etiketa që vërtetojnë regjistrimin e automjeteve. Me këto ndryshime, çdo makinë gjatë regjistrimit do të marrë një etiketë e cila do të vendoset në vend të dukshëm. Gjithë kjo, sipas zëdhënësit qeveritar Aleksandar Gjeorgjiev, ka për qëllim të lehtësojë punën e policëve rrugorë dhe të evitojë ndalesat të panevojshme në rrugë të makinave. Sipas tij çdo automjet i cili do të posedojë këtë etike do të jetë dëshmi për policinë, se ajo është e regjistruar. Edhe kjo risi do të shkojë në kuriz të qytetarëve sepse etiketa do të ketë një çmim, vlera e të cilës ende nuk dihet.
"Qëllimi është që personi zyrtar i MPB-së të mos ketë nevojë të kontrollojë çdo automjet në rrugë, nëse është e regjistruar, pasi regjistrimin e automjetit do ta njohë përmes shenjës që do të vendoset në një vend të dukshëm, me siguri në xhamin e parmë, që paraqet zgjidhje sipas trendit evropian. Me këtë, ndalesat e automjeteve do të ulen për një përqindje të madhe, që është në interes të policisë dhe gjithsesi qytetarëve", deklaroi Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë.
Gjeorgjiev theksoi se importuesi i makinave ka detyrim që blerësit e tyre t'i informojnë për çlirimin e dyoksid Karbonit çdo lloj automjeti.
"Gjatë blerjes së automjetit nga sallonet e makinave, shitësi është i obliguar që t'i japë konsumatorit të gjitha informacionet e nevojshme të cilat rregullohen në këtë direktivë, ndërsa janë të nevojshme që konsumatori të njoftohet me performancat zyrtare të automjetit. Për moserespektimin e dispozitës, është parashikuar gjobë", tha Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë.
Zëdhënësi i qeverisë theksoi se këto ndryshime të ligjit për automjete janë në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian. Nevzat Mamuti