Kreu i parlamentit Trajko Velanoski për afro një orë nuk arriti të mblidhte deputetët dhe të siguronte kuorumin për të votuar rendin e ditës, në mënyrë që të vazhdohej me seancën kuvendore. Ngecja erdhi për shkak të braktisjes së seancës nga opozita, në momentin e votimin të rendit të ditës, me pretekstin se nuk ju pranua kërkesa për heqjen e një pike nga rendi, si dhe për shkak të mos marrjes së letrës që Bashkësia Energjetike e Vjenës i kishte dërguar Velanoskitk lidhur me ligjin për shpronësim.
"Së pari, pritëm që ajo letër që kanë dërguar deri te Ju si kryetar i parlamentit nga bashkësia Energjetike e Vjenës lidhur me ligjin për shpronësim do të ndahej nga ana e shërbimeve të Kuvendit. Kjo është vërejtja e parë, dhe e dyta; lidhur me pikën e 39-të të rendit të ditës që nuk paraqet raport por program për punën vjetore të agjencisë për komunikime elektronike. Për këto shkaqe ne si grup parlamentar nuk do të marrim pjesë në votimin e rendit të ditës", tha Oliver Spasovski, LSDM.
"Ajo është e drejtë e juaja. Opinioni do të vlerësojë dhe do të gjykojë se sa jemi aktiv gjatë punës. Në rast se ne dëshirojmë të bëjmë pengesa dhe të gjejmë momentin kur dikush është jashtë zyrtarisht, dhe ta prezantojnë Maqedoninë dhe kuvendin në atë mënyrë, duke bërë pengesa .... mendoj se nuk është mirë për vetë kuvendin dhe vetë Maqedoninë", deklaroi Trajko Velanoski, kryetar i Kuvendit.
Velanoski vazhdoi për disa minuta thirrjet e deputetëve që ishin të pranishëm në godinën e Kuvendit, por thirrjet e tij hasën në vesh të shurdhër.
"I lusë deputetët, koordinatorët e grupeve parlamentare edhe të mazhorancës por edhe të opozitës që të bëjnë përpjekje t'i ftojnë deputetët në sallën numër 1 që të mund të votojmë... Megjithë përpjekjet e mia që deputetët të hyjnë në sallë dhe të plotësojmë obligimin tonë si deputetë ndaj Kuvendit.... më vjen keq që dikush nuk e pranon thirrjen time, ndaj unë jam i detyruar që këtu ta ndërpresë seancën".
Kjo nuk është hera e parë kur parlamenti ballafaqohet me problemin e kuorumit. Një fenomen i tillë e ka shoqëruar kuvendin prej vitesh, pasi opozita gjithnjë shprehet se shumica parlamentare e ka për obligim të sigurojë kuorumin, dhe se sipas tyre disa deputetë vijnë vetëm sa për t'u regjistruar, dhe për të siguruar shpenzimet e udhëtimeve. Bedri Rexhallari