'Prostituta që herë ishit në shtratin e VMRO-së e herë në atë të LSDM-së', ofendime të këtij lloji të shoqëruara edhe me shkelje të rregullores së kuvendit në pjesën e replikave dhe ndërhyrjeve procedurale e karakterizuan debatin e sotëm parlamentar rreth projektit 'Shkupi 2014'. Deputeti i PDSH-së Ziadin Sela gjatë fjalimit të tij, tha se në këtë projekt duhej të zinin vend edhe përmendoret e Dervish Carës dhe Hasan Prishtinës, sepse sipas tij këto figura të popullit shqiptarë kanë dhënë kontributin e tyre në çlirimin e Shkupit.
"Në qoftë se në Shkup duheshe të ketë ndonjë përmendore që i përket Shkupit dhe që bëhet fjalë për Shkupin, s'duhet të ketë asnjë dilemë, ajo përmendore aty në mes të Shkupit duhet të jetë përmendorja e Dervish Carës, që ka çliruar Shkupin, duhet të jetë përmendorja e Hasan Prishtinës i cili në 1912 çliroi Shkupi. Ndoshta sipas këtyre të BDI-së duhet të jetë edhe përmendorja e Ali Ahmeti, por ky qiellin e ndan bashkë me Gruevskin, ndërsa sheshi është vetëm i Gruevskit", tha Zijadin Sela, PDSH .
Apostrofimi i lideri të BDI-së Ali Ahmeti, nga deputeti i PDSH-së Zijadin Sela nxiti reagimin e shefit të grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi, i cili tha se nuk kanë nevojë për avokaturë dhe se sipas tij ky ishte një tentim për largimin e vëmendjes së nga debati.
"S'kemi nevojë për avokaturë, a më pak për avokaturë të atyre që nuk dinë se si 'Vojvodën', ta arsyetojnë për koalicionim me 'Çetniçinjata', dhe tani mundohen ta bartin temën e diskutimit", theksoi Talat Xhaferri, BDI.
"Nuk ka më keq se kur prostituta të shet moral. Ju jeni prostitutat që keni qenë edhe në shtratin e VMRO-së edhe në të LSDM-së, e do përgjigjen", u shpreh Ziadin Sela, PDSH.
Sot në mbrojtje të projektit 'Shkupi 2014' doli edhe deputeti Amdi Bajram.
"Kjo është vepër, kjo është vepër që do të mbetet për Republikën e Maqedonisë, kush vjen në republikën e Maqedonisë sheh bukuri në këtë. Thoni varfëri, ajo kjo, po çfarë varfërie kishte më herët, tani po shisni demagogji, vetëm thoni gjera të ndryshme. Mendja po ju gënjen, rrini në opozitë, ulërini, bërtisni, do të vjen koha e zgjedhjeve dhe sërish do ju fitojmë, ta dini", theksoi Amdi Bajram, partia rome.
"Kolegë Amdi Bajram, pasi edhe juve ju erdh radha që ta mbroni këtë koalicion, bashkë me shelgjet, e pat kjo punë", u shpreh Marjanço Nikollov, LSDM.
Debati për projektin Shkupi 2014 hyri në ditën e tretë, sipas numrit të deputetëve të paraqitur për fjalë debati pritet të vazhdoj edhe javën e ardhshme. Bedri Rexhallari