Shkupi 2014', debat rreth përmendoreve shqiptare

2015-08-21 0

Akoma asnjë gjurmë nga përmendoret e Josif Bagerit, Nexhat Agollit dhe Pjetër Bogdanit, të cilat duhet të ishin pjesë e projektit 'Shkupi 2014'. Kjo pyetje u shtrua sot edhe nga deputetët shqiptarë në opozitë Fazliu e Zeqiri, por që të dy mbetën pa përgjigje, pasi deputetet shqiptarë të partisë në pushtet munguan të kthenin përgjigje. Ata nuk ishin të pranishëm në sallë në kohën kur me propozim të LSDM-së debatohej rreth projektit 'Shkupi 2014'.
"Mua më së shumti më habit për këtë temë heshtja e BDI-së, ja edhe opinioni le t'i shohë ata edhe sot nuk janë askund, të gjithë kanë ikur...sot kur duhet të debatohej për këtë projekt ata heshtin, leje se heshtin por kanë ikur nuk janë askund. Përderisa VMRO krenohet me këtë projekt...vetvetes dje dhe sot ia shtroja një pyetje me çka krenohen deputetët e BDI-së, me realizimin e projektit Shkupi 2014, a thua krenohen me vendosjen e përmendoreve shqiptare në këtë projekt, unë nuk i shoh askund, ja tregoni edhe ju deputet të VMRO-së a i shihni ndonjë përmendore shqiptare në këtë projekt?", tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Edhe Izet Zeqiri kritikoi mono-etnicitetin që pasqyron ky projekt i kontestuar mjaft kohët e fundit, si shkaktar i thellimit të ndarjes etnike në vend.
"Do të ishte projekt i përbashkët për të gjithë qytetarët e RM, nëse paralelisht do të vendoseshin edhe figurat siç është Josif Bageri, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli. Unë prej këtij vendi u bëj thirrje gjithë autorëve shqiptarë që është dashtë të përfundojnë këto projekte, duke nisur nga Lindita Beqiri, nga Muhamet Sediku, nga Bashkim Mexhiti e të tjerë, çka është puna që këto figura ende nuk janë vendosur në Shkup. Cila është arsyeja, a thua këto nuk i kanë marrë honoraret e duhur, ku qëndron arsyeja", deklaroi Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.
Ndërsa deputetët maqedonas u përplasën për identitetin e tyre kombëtar. Pushtetarët mbronin projektin duke theksuar se përmes tij mbrohet identiteti, ndërsa opozita akuzonte se projekti me një kosto shumë të madhe, nuk ishte i nevojshëm në kohë krize. Bedri Rexhallari