BE mirëpret idenë për 'Beneluks Ballkanik'BE mirëpret idenë për 'Beneluks Ballkanik'

2015-08-21 3

Bashkimi Evropian ka mirëpritur idenë e formimit të një 'Beneluksi Ballkanik', nga aspekti i bashkëpunimit ekonomik dhe politik të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Mbështetja e idesë tregohet në letrën e zyrës së Komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle, në pyetjen se si e vlerëson BE-ja idenë e formimit të një "Beneluksi Ballkanik."
"Ne jemi absolutisht për çdo bashkëveprim të vendeve, në veçanti pas shembullit pozitiv të formimit të 'Grupit të Vishegradit' dhe Beneluksit të formuar që moti. Mundësia e formimit të një unioni mes vendeve të Ballkanit, do të kontribuonte në zhvillimin më të madh të këtij rajoni, dhe do të përfaqësonte një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik e politikë mes këtyre shteteve", thuhet në letrën e zëdhënësit të Komisionerit për zgjerim të BE-së, Peter Stano.
Zëdhënësi i Komisionerit për zgjerim të BE-së, Peter Stano hedh poshtë mundësinë që vendet, që do të përbënin 'Beneluksin Ballkanik', të anëtarësohen në paketë njëkohësisht.
"Çdo aderim dhe pranim në BE është i posaçëm, pa dallim nëse kandidatët për anëtarësim janë bashkë në ndonjë union tjetër. Pranimi varet nga specifikat e çdo shteti në mënyrë të veçantë dhe në arritjet e tij për përmbushjen e objektivave të Bashkimit Evropian dhe obligimeve të përcaktuara gjatë dialogut për anëtarësim. Komisioni Evropian dhe BE mbështesin bashkimin e vendeve të kontinentit evropian", thuhet më tej në letër.
Ideja për formimin e 'Beneluksit Ballkanik' u shpalos vetëm 2 javë më parë nga Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini gjatë takimit të tij me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Kjo ide e Saraçinit u kundërshtua dhe u cilësua si e pabazë nga kolegu i tij, Ministri i Jashtëm Nikolla Popovski i cili tha se një projekt i tillë nuk është logjik pasi Maqedonia nuk do të ketë kurrfarë dobie po të mbyllej në një rreth aq të ngushtë. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange